“Kam parë gjëra të cilat nga ku vij unë nuk ekzistojnë”, Moriero pas rënies nga kategoria: Mos më bëni të them gjëra të tjera se nuk dua të ofendoj njeri
Trajneri i Laçit, Françesko Moriero, ka treguar se ka peng për sezonin disa episode që sipas tij janë trajtuar ndryshe me ekipin kurbinas dhe ndryshe me të tjerët.
“Sot është një ditë e trishtë se mendoj që Laçi nuk e meritonte rënien, për lojën e shprehur në fushë. Nuk kishte asnjë skuadër asnjëherë që na ka vënë poshtë në aspektin e lojës. Nuk është çështje të dhënash, pikësh, apo humbjesh. Jam person shumë i ekuilibruar, respektoj gjithmonë verdiktin e fushës dhe tani që përfundoi kampionai mund të them se nuk jam i kënaqur me disa vendime që nuk na kanë lejuar që të shkojmë para. Nuk kam parë të njëjtin ekuilibër që përdorej për ne me ekipet e tjera.
Ishte eksperiencë e rëndësishme, njoha një futboll të ri. U mundova të vija gjithçka kisha, eksperiencën për lojtarët. Kisha një klub që më lejoi të punoja lirisht, normale që kur nuk arrin rezultatin ka keqardhje. Sa i përket ndeshjeve, duhet të vlerësojmë shumë episode që kemi pësuar dhe ato që më kujtohen tani janë penalltia ndaj Dinamos, ajo që nuk na u dha me Egnatian dhe pastaj ka disa të tjerë, situata që në ndeshje të tjera nuk kishte ekuilibër vendimi për të njëjtat situata që kemi përjetuar. Të njëjtat episode janë vlerësuar ndryshe. Këtë e them me qetësi, pa akuzuar asnjeri, se jam njeri i sportit, e pranoj verdiktin. Por më shumë se të mundohem të bëj skuadrën të luajë mirë, të japë shpirtin, janë gjëra të tjera që është e vështirë të vlerësosh. Pastaj ka pasur ndeshje që kemi bërë gabime, por kam parë gjëra që nga ku vij unë, nuk ekzistojnë.
Nëse do të vlerësojmë ndeshjet e fundit, kur u mundëm, ka situata ku kemi pësuar gol pa gjuajtje në portë të kundërshtarit. Ajo ndeshja ndaj Skënderbeut ndodhi në mënyrë shumë të çuditshme, na dhëmbi shumë. Në ato ndeshje kujtoj vetëm atë rast me top të gjatë. Laçi ka luajtur gjithmonë për të fituar, e kishte mentalitet. Ajo që më bezdis, e them tani pa asnjë polemikë, nuk kam parë një linjë të njëjtë me skuadra të tjera. Mos më bëni të them gjëra të tjera se nuk dua të ofendoj njeri, por ju ftoj të shihni disa episode se ka disa situata shumë të dyshimta.
E ardhmja? Nuk e di. Tani jam i inatosur, duhet të kaloj këtë situatë se kam dhënë gjithçka nga vetja në këtë aventurë. Më vjen keq për Laçin, për klubin, tifozët, dhamë gjithçka për të shpëtuar. E ardhmja nuk ka rëndësi, por Laçi të kthehet të jetë ekipi i fortë që është, pastaj trajneri nuk i dihet kurrë kush do jetë”, tha Moriero për RTSH pas sfidës.
PANORAMASPORT.AL













