Jo vetëm rezultatet, Dinamo humbet edhe agresivitetin
Dinamo u duk se e kishte kaluar momentin e keq dhe fitoret e fundit mes kampionatit e Kupës, u dukën sikur Dinamo është rikthyer në formën e mëparshme. Por, të besuarit e Dajës kanë humbur sërish busullën duke u mundur në dy takimet e radhës në kampionat, ku fillimisht ishte Partizani që e mundi në sfidën direkte për “Final 4” e më pas e mundi Teuta.

Këto rezultate kanë kthyer hijet e fazës së tretë te Dinamo e cila nuk mori më shumë se 7 pikë në 9 takimet e luajtura dhe ndaj Vllaznisë në Shkodër, Dinamo do të kërkojë të bëjë surprizën për t’u rikthyer edhe një herë tjetër në garë si një nga skuadrat që pretendon zonën e katërshes më të mirë.
Por, nëse shohim ndeshjet e fundit të Dinamos, vihet re një tjetër “mangësi” nëse mund të konsiderohet e tillë, pasi blutë kanë humbur agresivitetin në fushë. Në 3 ndeshjet e fundit, ku Dinamo ka mundur Tiranën dhe është mundur 2 herë të tjera, të besuarit e Dajës kanë marrë vetëm 2 kartonë të verdhë.
Malomo u ndëshkua në fitoren ndaj Tiranës në Kupë, ndërkohë që edhe Nani mori një të verdhë ndaj Partizanit në kampionat. Në sfidën e fundit kundër Teutës, Dinamo nuk u ndëshkua asnjëherë dhe i vetmi karton i marrë, ishte ai i Runeit që u ndëshkua me të kuq pas rishikimit në VAR për një ndërhyrje të ashpër në mesfushë ndaj Bregut.
PANORAMASPORT.AL













