Jo vetëm Kastrati jashtë, Edi Martini me dy mungesa të tjera te Vllaznia

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 28, 2026 | 10:23

Jo vetëm Kastrati jashtë, Edi Martini me dy mungesa të tjera te Vllaznia

Pas disa ditësh pushimi, Vllaznia i është rikthyer fushës së stërvitjes, duke nisur kështu përgatitjet për sfidat e radhës në kampionat.

VLLAZNIA

Kuqeblutë kanë rinisur aktivitetin e zakonshëm në një atmosferë pozitive, ku optimizmi dhe dëshira për të vijuar ecurinë e mirë kanë qenë të pranishme që në seancat e para. Ritmi i stërvitjes në këto ditë të nuk ka qenë në nivelet maksimale të zakonshme, ç’ka konsiderohet e kuptueshme pas një periudhe pushimi.

Stafi teknik ka zgjedhur një qasje më të kujdesshme, duke u fokusuar fillimisht në rikthimin gradual të ngarkesës fizike dhe në rifitimin e ritmit të lojës nga ana e futbollistëve. Nga ana tjetër, grupi paraqitet në një gjendje shumë të mirë, si në aspektin fizik ashtu edhe në atë psikologjik. Futbollistët janë shfaqur të motivuar dhe të përqendruar, duke reflektuar një klimë të shëndetshme brenda ekipit, që pritet të ndikojë pozitivisht në performancat e ardhshme.

Megjithatë, në seancat stërvitore kanë munguar tre lojtarë. Kastrati vijon të jetë i dëmtuar dhe për momentin nuk mund t’i bashkohet grupit, ndërsa Jukaj dhe Dodaj nuk kanë qenë të pranishëm për shkak të angazhimit me Kombëtaren U21. Dy të fundit janë pjesë e skuadrës që po përgatitet për ndeshjen miqësore ndaj Uzbekistanit, duel që do luhet në datën 30 mars.

Në ditët në vijim pritet që grupi të plotësohet pothuajse në maksimum, me rikthimin e lojtarëve të munguar dhe përmirësimin e gjendjes së të dëmtuarve. Kjo do t’i japë mundësi stafit teknik të punojë me kontingjentin e plotë dhe të ndërtojë më qartë strategjinë për sfidën e ardhshme.

Vëmendja tashmë është përqendruar te përballja e radhës në kampionat ndaj Partizanit, një ndeshje që pritet me interes të madh. Vllaznia synon të paraqitet në formën më të mirë të mundshme, për të marrë një rezultat pozitiv dhe për të vijuar objektivat e saj në këtë sezon.

PANORAMASPORT.AL