Dumfur-Musta, titullarë! Trajneri Martini me ide të qarta për duelin europian ndaj Malishevës
Merkatoja e verës duket se ka ndryshuar ndjeshëm ekuilibrat në repartin e mbrojtjes te Vllaznia. Afrimet e fundit të Dumfur dhe Mustës kanë shtuar ndjeshëm konkurrencën, ndërsa nga ajo që është parë në seancat stërvitore dhe ndeshjet miqësore, dy futbollistët e sapoardhur duken në avantazh për të fituar një fanellë titullari në prag të ndeshjeve zyrtare. Në krahun tjetër, kjo situatë ka vënë në vështirësi Latifin dhe Avdylin.

Dy mbrojtësit u afruan vetëm pak kohë më parë te kuqeblutë me pritshmëri të mëdha, por ardhja e dy lojtarëve me më shumë eksperiencë duket se ua ka komplikuar ndjeshëm rrugën drejt formacionit bazë. Aktualisht, shanset e tyre për të qenë titullarë në sfidat e para të sezonit nuk duken aq të mëdha. Dumfur dhe Musta sjellin jo vetëm përvojë, por edhe njohje të mirë të kampionatit shqiptar, një element që mund të rezultojë vendimtar në zgjedhjet e stafit teknik.
Të dy kanë treguar ndër vite se dinë të përballojnë ndeshje me presion dhe kjo është një vlerë e shtuar për një skuadër që synon të kalojë me sukses turin e parë në Conference League dhe të jetë protagoniste edhe në Superiore.
Megjithatë, asgjë nuk mund të konsiderohet e mbyllur. Trajneri Martini vijon të testojë variante të ndryshme në repartin defensiv, duke provuar kombinime të ndryshme për të gjetur katërshen ideale që i përshtatet më së miri filozofisë së tij të lojës. Vendimet përfundimtare pritet të merren vetëm pas ditëve të fundit të përgatitjeve.
Konkurrenca e fortë brenda skuadrës është një sinjal pozitiv për Vllazninë, pasi rrit nivelin e ekipit dhe i jep trajnerit më shumë alternativa. Tashmë mbetet për t’u parë nëse eksperienca e Dumfur dhe Mustës do të peshojë përfundimisht në formacion, apo Latifi dhe Avdyli do të arrijnë të përmbysin hierarkitë me paraqitjet e tyre në stërvitje.
PANORAMASPORT.AL













