Java e 19-të e Superiores/ Tirana nis garën e kohën, Egnatia për arratisjen

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 14, 2026 | 11:31

Java e 19-të e Superiores/ Tirana nis garën e kohën, Egnatia për arratisjen

Pas 25 ditësh, 10 skuadrat më të mira të Shqipërisë do të luftojnë për titullin kampion, por edhe me Egnatian që do trofeun e tretë dhe nuk dorëzohet. Të mërkurën rinis lufta edhe për mbijetesën.

superiore

Dhe pikërisht, të parët që luajnë janë Bylisi dhe Tirana. Bardheblutë, të fundit me 10 pikë, duhet të shpëtojnë nga rënia prej Superiores dhe fitorja e parë duhet të vijë pikërisht ndaj një kundërshtari direkt si ballshiotët. Triumfi është detyrim si për tifozët, investimin, dhe për të treguar se merkatoja është bërë për objektiva të tjerë. Gara me kohën për bardheblutë nis pikërisht në Mallakastër.

Edhe Flamurtari i përgjysmuar do të udhëtojë në Elbasan. Një humbje tjetër (në pritje të drejtorit dhe merkatos) do t’i vinte kapakun shpresave për qëndrimin në kategori. Elbasani si pritës, nuk duhet të gabojë nëse kërkon të qëndrojë ngjitur me kreun dhe sfidën e nis i avantazhuar prej Kupës.

Në fund, Vllaznia-Egnatia ose kryesfida e javës. Dy skuadrat që duan titullin. Pas fjalëve të Martinit si “thumba” për Tetovën, rrogozhinasit duan të gjunjëzojnë shkodranët. Aleksi i pezulluar(e ka llogaritur mirë) nuk udhëton drejt Shkodrës, për të shmangur polemikat e ndeshjes së dytë. Dhe përballë, kampionët kanë një Vllazni të plagosur që paçka se e mbylli me fitore mbetet në krizë rezultatesh. Një disfatë ndaj Egnatias, për kuqeblutë do të thoshte lamtumirë zonë “Final 4” dhe për kampionët arratisje. E gjithsesi, është vetëm java e 19-të, por siç thotë proverbi: “fillimi i mirë është gjysma e punës…”

PANORAMASPORT.AL