Jani Rama, atleti që u bë legjendë në portën e Dinamos: Luajta me 17 Nëntorin në Europë me emër tjetër
Speciale nga UVIL ZAJMI
Jani Rama, nga një karrierë sportive e nisur si atlet, kampion në kërcimin së larti me “Dinamovitin e Ri”, befas në portë me të rinjtë e Dinamos dhe debutimi në skuadrën e parë ndaj Fenerbahçes, pa bërë ende 18 vjeç. Fizik i bukur, shtatlartë 182 cm, elastik, elegant, një portier interpretues ndryshe i atij roli, duke krijuar kështu stilin e ri për të qenë ndër të parët portierë modernë, kur u shfaq në fillim të viteve ‘60. I shpejtë, reagues, i sigurt, pozicional, i qetë, i pagabueshëm në dalje, zotërues i ajrit, një ndër pikat e forta të tij. I pakalueshëm në dyluftimet “tek për tek”, titullar në formacion prej Z. Gjinalit, i pëlqyer nga Boriçi, ndeshja në Beograd, rivaliteti me Dinellën dhe dëmtimi para takimit me Gjermaninë në dhjetor të ‘67-ës.

Jani Rama sot në Florida (SHBA) me nipin Jani Junior
I preferuar nga Alla, kur në Liezh luan me 17 Nëntorin ndaj Standardit dhe takimet dramë me RDGJ-në e Shparvarserit dhe Rumaninë e Dimitreskut. I edukuar, i respektuar nga tifozët e skuadrat kundërshtare, një ndër portierët e shquar të futbollit shqiptar, që prej vitesh jeton në Florida (SHBA) me familjen. Ruan freskinë që e ka karakterizuar dhe për lexuesit e “Panorama Sport” thotë: “Jam portier për nga rastësia. Sportin e kam nisur si atlet, por në sport disiplinat ndjekin, mbështesin njëra-tjetrën. Gjërat, madje edhe ato kryesoret në jetë, shpesh ndodhin kur nuk e pret e as i ke menduar”. Një histori unike e portierit protagonist në derbin me 17 Nëntorin kur ishte 34 vjeç dhe numri 1 më jetëgjatë me një fanellë, një ngjyrë, një klub, Dinamon.
Z. Rama, flasim pak për fillimet tuaja, jeni pasionant i atletikës, apo jo?
Isha atlet me të rinjtë në klubin “Dinamoviti i Ri”, në garat e kërcimit së larti, së gjati dhe në stafetën 4×100 me trajner Elez Mahën me Kacagjelin, Maznikun, Heqimin. Të gjithë atletë rekordmenë dhe shumë të njohur. Kam qenë nxënës në shkollën “Kristoforidhi”, kur në 1960 shpallem kampion kombëtar për moshat në kërcim së larti.
Si ndodhi, kush ju zbuloi dhe pse ky ndryshim i papritur?
Ka qenë viti 1961. Ne atletët stërviteshim në stadium, shpesh duke luajtur futboll dhe unë qëndroja në portë. L. Dashi më sheh, më merr me të rinjtë e Dinamos dhe që në javën e parë të kampionatit të kësaj moshe luajta portier në Berat. Pastaj ishte “ustai”, Zihni Gjinali, që më afroi me skuadrën e parë ku ishin Qoshe, Beliu, Halili, Alluni, Verria, Vorfi, Bushati, S. Jareci, Lubonja, Duro, Caushi, Stamo, Rreli, Daiu, Tallushi, Shala, Samarxhi, N. Jareci, Buzi, Goda, Ibërshimi.
Jani, keni lindur më 1 janar 1944, diçka e veçantë, dita e parë e vitit…?
Realisht kam lindur më 23 dhjetor 1943. Por ishte kohë lufte, zyrat e gjendjes civile nuk funksiononin rregullisht dhe regjistrimin ma bënë me 1 janar të 1944…
E kujtoni debutimin me skuadrën e parë?
Vendimtar ka qenë viti 1962. Muaji shkurt, miqësore, Dinamo-Vllaznia 2-2 në stadiumin “Dinamo”. Trajneri Konçi më aktivizoi si zëvendësues i Beliut. Më pas filloi Kupa e Paqes, kurse kampionati do të niste në shtator, i pari, vjeshtë-pranverë ‘62-‘63. E rëndësishme për mua ka qenë edhe grumbullimi me skuadrën kombëtare C. Pastaj në Kupën e 50-Vjetorit, qershor, kam luajtur në ndeshjen Dinamo-Besa 3-1. Ruaj gazetën “Sporti” ku flitet për mua si një portier i ri i Dinamos. Atë kohë në takimin Traktori-Dinamo 1-1, me lushnjarët debuton edhe Çeço 16-vjeçar.

Në “Qemal Stafa”, 1967, derbi 17 Nëntori-Dinamo,
Rama në dyluftim me Kazanxhiun e Bukovikun
Më sipër thatë se keni qenë në skuadër edhe me Panon…
Ka qenë fillimi vitit 1962 dhe pjesëmarrëse në Kupën Ballkanike, te Dinamoja vijnë si përforcim F. Frashëri, M. Ndini A. Mema dhe Pano. Unë isha 18 vjeç, mendoni të stërviteshe në një grup, skuadër me ta. Në shkurt filloi Kupa e Paqes me ekipet e Kategorisë së Parë dhe sulmi i Dinamos ishte: Pano, Jareci, Vorfi, Duro, Lubonja e Bespalla. Pastaj tri takimet në Kupën Ballkanike: fitore 3-2 në Bukuresht me Dinamon vendëse, barazimit 2-2 në Sofje me Levskin dhe në qershor sërish ndaj Levskit 0-0 në stadiumin “Dinamo”. Kjo ishte e fundit e tij me Dinamon, për t’u rikthyer te Partizani. Në shtator niste kampionati ‘62-‘63, që për herë të parë do të luhej në vjeshtë-pranverë.
Vjen Fenerbahçe, shumë minuta lojë edhe për ju…
Ka qenë 23 nëntor, ditë e premte. Vijohet në Kupën Ballkanike në “Qemal Stafa” ndaj Fenerbahçes, ndeshja e fundit në grup, terren i rëndë, shi. Fiton Dinamo 3-2 dhe unë kam zëvendësuar Mile Qoshen në pjesën e dytë. Te Dinamo luante edhe Ishka, i marrë nga 17 Nëntori. Lorenc Vorfi ka shënuar 3 gola dhe edhe për këtë fakt e kujtoj atë takim. Në Kupën Ballkanike kam luajtur pas një sezoni ndaj Levskit, 1-1, në “Qemal Stafa” dhe pas largimit të Beliut e më pas të Qoshes, unë isha titullar.
Ka një kuriozitet, në 13 vite, nga 1960-1973, Dinamo ka marrë vetëm një titull kampion.
Është ai i vitit 1967, pas përjashtimit të Partizanit dhe 17 Nëntorit. Ajo është një periudhë që dominohet nga 17 Nëntori, Partizani, kurse Dinamo është në reformim. Kjo mund të jetë edhe një ndër arsyet, edhe pse në skuadër kishim lojtarë shumë cilësorë, Zhega, Çeço, Çutra, Përnaska etj. në 1973, Dinamo kampione drejtohet nga D. Shehu.

Dinamo 1962, lart majtas: S. Jareci, Shala, Duro, Tallushi, Buzi, Vorfi,
Bushati, Lubonja. Ulur majtas: Rama, Gjinali, Alluni, N. Jareci, Gjoci, Qoshja
Jeni dëshmitar i një kampionati ku u përjashtuan Partizani e 17 Nëntori, madje në qershorin e ardhshëm ajo ndeshje e paharruar, ngjarja që përcolli ka një përvjetor për të cilin gazeta po përgatit një material interesant të detajuar. Ju si e kujtoni?
Ka qenë faza e dytë e sezonit ‘66-‘67. Kishin mbetur edhe tri javë. Ne ishim dy pikë pas 17 Nëntorit, thuajse i sigurt kampion, që e fitoi 2-1 ndeshjen. Por, siç dihet, pas saj me një vendim të FSHF-së të dyja skuadrat u përjashtuan. Në vijim, ne fituam takimet e mbetura, madje të fundit 7-0 me Tomorin në Tiranë. Në ceremoninë e marrjes së trofeut, trajneri Jareci na këshilloi që të mos bënin xhiron apo festonim shumë, pasi e konsideronte një titull të pamerituar në aspektin sportiv.
Dhe në Kupën e Kampioneve, Dinamo është përballë Eintrahtit të Braunshvejgut, por nuk luajti. Pse?
U grumbulluam, u përgatitëm, kur një javë para takimit, në stërvitje tek aneksi, vjen Vasil Prifti, zyrtar i klubit, dhe na informon se Dinamoja tërhiqet nga ndeshja. Edhe sot nuk e kam të qartë, pasi askush nuk të informonte se çfarë kishte ndodhur. Nën zë u fol se mund të pësonim një humbje të thellë, por frika për një eliminim të dytë nga një klub gjerman pas Këlnit. Pati komente se UEFA e kishte përjashtuar Dinamon, nuk ia njihte titullin e marrë në tavolinë. Ende sot nuk e di realisht të vërtetën.
Fundviti 1967, janë dy takime ndërkombëtare. E para, në tetor në Beograd ndaj Jugosllavisë së Xhaiçit, ku në portë jeni ju. Çfarë mbani mend?
Jemi në grup me Gjermaninë Federale, nënkampione e botës, dhe Jugosllavinë e Xhaiçit, një skuadër e jashtëzakonshme. Në Dortmund, në prill të atij viti humbëm 6-0, pastaj në maj 0-2 me Jugosllavinë në Tiranë. Isha i grumbulluar, por Boriçi në atë përballje aktivizoi Jankun. Një ndeshje e zhvilluar në një atmosferë të rënduar politike. Kujtoj para takimit nga qendrat e zërit të stadiumit kombëtar buçisnin këngë revolucionare etj. Pastaj në nëntor në Beograd. Një takim me histori, ngjarje dhe me mua në portë.
Çfarë ngjau, mundet të na e thoni? Pse ju zgjodhi ju Boriçi?
Në atë kohë isha aktivizuar në disa miqësore me të rinjtë në fitoret 5-0 ndaj Kubës dhe 4-0 me Algjerinë. Një nga motivet ka qenë fakti se jugosllavët aplikonin lojën në krahë me harkime ta larta në zonë. Nisur nga kërcyeshmëria që më ndihmonte në dalje, Boriçi mendoi të më aktivizonte. As 23 vjeç nuk i kisha mbushur, shumë i ri, pa eksperiencë ndërkombëtare dhe u vendosa në portë në atë takim të vështirë e të tensionuar në çdo drejtim. Nga çasti kur zbritëm në hotel, ndeshja, deri kur u larguam. Kujtoj se një ditë përpara në stërvitje, ata kishin vendosur 10 topa në njërën portë, që më pas na thanë se aq ishte numri i golave që do të shënonin.

Presion, provokime dhe humbje e thellë… A mund të shmangej?
Ishte emocion dhe përgjegjësi e madhe, por humbëm 0-4. E diel mesditë ka qenë. Situata politike dihej dhe kur gati pas 20 vjetësh në një stadium jugosllav të tejmbushur me shqiptarë do të ekzekutohej himni i Shqipërisë. Në atë ndeshje, me mua kanë debutuar edhe Jorgaqi e G. Xhafa. Kurse F. Andoni ka luajtur shumë mirë. Nga jugosllavët nuk ishte Zampata, autori i dy golave në Tiranë. Pjesa e parë u mbyll 1-0, ndonëse me Fazllagiç, Xhaiç, Lazareviç, Osim autor i dy golave, presioni, rreziku ishte prezent në çdo minutë. Shënuan në fund të pjesës së parë një gol, pas të cilit ne protestuam. Topi u përplas aty ku bashkohen shtyllat, lart në të majtën time, pastaj në tokë, ka gol, jo, por sipas arbitrave ai kishte kaluar vijën e portës. I dyti u realizua nga Osim, pak diagonal, goditi fuqishëm. I treti me kokë nga afër në të djathtë timen. Dhe i fundit, sërish një krosim që vjen nga e majta dhe Osim në dyluftim, me kokë, topi kalon ngjitur me shtyllën në të djathtën time dhe në rrjetë. Katër gola realizuar me kokë.
Pas një muaji në Tiranë, vjen RFGJ, barazim 0-0, por ju nuk luajtët. Cili ishte motivi?
Në atë grumbullim ishim Janku, unë dhe Dinella. Dy ditë para ndeshjes, në stadiumin “Dinamo” binte shi i imët. Në të ngrysur, stërvitja kishte përfunduar dhe lojtarët, ndër ta Pano e Kazanxhi, po bënin gjuajtje. Boriçi ishte larguar, zakonisht kështu vepronim, mbyllej seanca. Gjatë një plonzhoni, rrëshqita, u përplasa me shtyllën e portës veriore, që në atë kohë ishin katrore, ndryshe po të ishte e rrumbullakët. Lajmëruan Boriçin që u shqetësua. Më kishte planifikuar portierin e ndeshjes, edhe nga fakti që ashtu si Jugosllavia, edhe Gjermania si karakteristikë kishte lojën në krahë dhe me harkime.
Kaq i rëndë ishte dëmtimi?
Pa e kuptuar kisha dëmtuar 4 brinjët e fundit të kafazit të kraharorit. Atë natë në hotel “Donika” kisha dhimbje, të nesërmen ndonëse mjeku më vendosi një kapsikum të madh aty ku isha dëmtuar, më bën edhe injeksion për heqjen e dhimbjeve, por ato nuk më pushuan duke e bërë të pamundur aktivizimin tim. Dhe Boriçi aktivizoi Dinellën, që luante mirë në dalje, në lojën në ajër.
Një rast i rrallë, dy portierë Rama e Dinella, titullarë, “rivalë” te Dinamo dhe në Kombëtare…
Koço erdhi nga Skënderbeu. Shtator ‘67 mund të ketë qenë, për të kryer shërbimin ushtarak. Ishte i qetë, i sjellshëm, i edukuar dhe i respektueshëm si dhe portier mjaft i aftë. Tri vitet e qëndrimit të tij në klub kemi kaluar shumë mirë bashkë. Te Dinamoja, me ardhjen e Dinellës, u krijua një rregull i pashkruar: Një javë unë, një javë ai në portë, të dy edhe në ekipin kombëtar. Pasi u largua Koço, erdhi Ahmedani, një portier me të dhëna shumë të mira, e ardhmja e Dinamos. Më i ri se unë në moshë, fizikisht i përgatitur, luanim duke u alternuar. Për të vijuar me Luarasin, Saren, Bozhiqin, deri te Strakosha, që krijuan traditë të shkollës së portierëve dinamovitë. Më ka pëlqyer edhe Jani Kaçi, një strukturë, stil i ngjashëm me timin.

Në karrierën tuaj spikat një ndeshje në Liezh ndaj Standardit, por si portier i 17 Nëntorit?
Në shtatorin e 1969-ës, në Kupën e Kampioneve, nga Dinamoja më morën mua, G. Xhafën dhe P. Panon e Partizanit. Takimi i parë në Belgjikë. Standardi ishte skuadër shumë e fortë, ku luanin dy jugosllavë, M. Galiç, S. Takaç. Në atë ndeshje, unë jam aktivizuar me emrin e B. Tafajt si dhe G. Xhafa me emrin e F. Frashërit që nuk erdhi atje.
Një humbje dhe shumë pretendime për padrejtësi?
Takimi që përfundoi 3-0 filloi në mbrëmje dhe arbitër ishte një maltez. Pjesa e parë u mbyll 2-0, me një autogol dhe një tjetër në fundin e saj, për të cilin kemi protestuar gjatë pasi topi u përplas në traversë, pastaj në tokë. Unë e marr dhe e largoj drejt mesfushës. Papritur, arbitri akordoi gol, sipas sinjalit të asistentit për kalim të vijës fatale. Arbitri, shumë tendencioz, lejoi lojën e ashpër të belgëve që dëmtuan Panon duke e goditur nga prapa. Kështu, ai nuk luajti në Tiranë ku barazuam 1-1 me golin e Kazanxhiut dhe unë kam luajtur me emrin tim.

Në “Qemal Stafa”, 1973, Shqipëri Rumani 1-4.
Rikthehemi në Kombëtare, luani ndaj Turqisë, pastaj ndaj RDGJ-së së Shparvarserit dhe Rumanisë së Dumitrakes.
Nga viti 1967 deri në 1973 kam qenë gjithmonë i grumbulluar me përfaqësuesen, por pas dhjetorit të ‘67-ës, skuadra kombëtare nuk zhvilloi asnjë ndeshje deri në tetor 1970, 0-3 në Poloni dhe në portë është Dinella tashmë me Skënderbeun. Ndeshja e radhës në Turqi, dhjetor 1-2, jam futur në pjesën e dytë duke zëvendësuar Koçon. Në formacion, si titullar jam rikthyer në prill 1973, trajner është M. Alla, në Magdeburg 0-2 ndaj RDGJ-së, ku luante ylli Shparvarser, autor i golit të dytë. Një kombëtare shumë e fortë, surpriza e Botërorit ‘74, kur mundi RFGJ-në. Pas një muaji në Tiranë, tjetër humbje 1-4 me Rumaninë e Dumitrakes, Jordaneskut, një skuadër e madhe, protagoniste në ato vite. Në nëntor, vjen RDGJ-ja, tjetër disfatë 1-4 dhe në portë është Muhedini. Trajner I. Shuke. Ishin këto rezultate që u bënë shkak të merrej ai vendimi absurd shtetëror, për të mos luajtur për disa vite me Kombëtaren e klube në turnetë europianë e botërorë.
Jeni dy vëllezër në një skuadër, një rast jo i zakontë, apo jo?
Romeo, tre vjet më i vogël se unë, erdhi te Dinamoja në vitin 1965 bashkë me T. Çutrën e Sh. Hoxhën. I solli trajneri S. Jareci, që sapo ishte kthyer nga Shkodra. Luajti tri sezone si mesfushor stoper. Bashkë flinim në dhomë. Kujtoj se në Elbasan, në fushën e vjetër, E. Ibërshimi në një dyluftim na ka përplasur të dyve.
Në një ndeshje keni luajtur si mesfushor, i vërtetë ky fakt e në çfarë rrethanash?
Në Korçë, ndeshje kampionati, isha rezervë. Në meslojën e pjesës së dytë, u dëmtua Ç. Hysi dhe S. Jareci i jashtëzakonshëm në të tilla situata, më thotë të futem unë në lojë si mesfushor. Ai e dinte që luaja mjaft mirë, se më kishte parë në ndeshjet e kontrollit kur luanim me dy porta. Por në gazetë u shkrua emri i vëllait, Romeo Rama, pasi askush nuk e besonte se isha unë protagonisti i vërtetë.
Në një intervistë të gazetarit Pirro Ruvina me portierin e njohur Q. Vogli, ka një detaj vërtet befasues për një veprim human tuajin…
Me siguri bëhet fjalë për një turne të Vllaznisë në Bullgari, në të cilin për arsye absurd për kohën, padrejtësisht Paulin Ndojën nuk e morën dhe në vendin e tij klubi shkodran më mori mua. Kur u kthyem, unë i bëra një dhuratë Paulinit. Me dietën që na dhanë i bleva një uniformë sportive atij.

Sezoni 1973, Dinamo kampione, Rama me kupën
Një karrierë shumë e gjatë, gati unike. Cili ishte sekreti?
Karriera ime e gjatë me Dinamon do të mbyllej në vitin 1979, duke fituar 5 kampionate, 3 Kupa Republike, 2 spartakiada si dhe mjaft trofe të ndryshëm. Pjesëmarrës në tri ballkaniada me klube. U ndava në moshën 36-vjeçare me futbollin edhe nga dëmtimet e shumta. Njërin prej tyre në stërvitje në kokë në vitin 1975, pastaj gjunjët ende plagë i kam. Në jetë, familje, sport, kam qenë i rregullt. Kurrë cigare, as pije alkoolike. Pasi u ndava, vazhdova pak vite si trajner i portierëve të Dinamos.

1979, në “Qemal Stafa”, lamtumira, ndarja me
futbollin. Pranë tij I. Përnaska dhe vëllai R. Rama
Keni luajtur si protagonist në mjaft derbe të kohës. Keni ndonjë të veçantë?
Të fundit e kam luajtur në “Qemal Stafa”. Ka qenë finale për Kupën e Shqipërisë me 17 Nëntorin, janar i vitit 1977, isha 34 vjeç. Takimin e parë e fitoi Dinamo 2-1, shënuan Zëri dhe Ballgjni me penallti si dhe Brahja po me penallti. Pas një jave 2-1 për 17 Nëntorin, realizuan Dibra, Ballgjini e Çela. Arbitër ka qenë R. Pregja dhe unë isha në formë të mirë. Pastaj koha shtesë dhe penalltitë. U ekzekutuan 16, fitoi 17 Nëntori 7-6. Unë grushtova gjuajtjen e F. Llambit, Tafaj priti të Përnaskës, kurse Marko gjuajti jashtë. Në atë fazë kam luajtur në formacion. Pastaj erdhi Luarasi. Atë sezon dolëm kampionë, ishte i treti radhazi dhe për Përnaskën edicioni i gjashtë që shpallej shënuesi më i mirë.

Me Dinamon kampione me trajnerin D. Shehu dhe S. Peqini (1975, 1977)
Jetoni prej vitesh në Florida. A jeni i lumtur?
Ky ka qenë largimi i dytë imi. Pas qëndrimit 1992-2004 bashkë me vëllain Romeo në Athinë, në 2006 u transferuam në Amerikë ku jetoj me familjen, dy djemtë Andin e Julianin, tashmë të martuar. Me gruan Rozi jam njohur, fejuar e martuar shumë i ri, kur ajo ishte 15-16 vjeçe, gjimnaziste në vitin e dytë në “Qemal Stafa”. Prej kohësh jam gjysh me nipër, madje njëri prej tyre quhet Jani Junior.
Në Athinë, takimi me Osim…
Ai ishte trajner i Panathinaikosit. Takoheshim në një dyqan, ishim klientë, frekuentues të tij. Pasi u prezantuam, ai u befasua dhe i vinte mirë kur kujtonim takimin e Jugosllavisë me ne, golat. Nga ajo ndeshje kam dy foto. Në njërën jemi bashkë, unë dhe Osim që ndjek aksionin.
Në SHBA jetojnë edhe dy portierë ish-kuqezinj: Dinella e Muhedini. Dikur ju ka afruar Kombëtarja, sot ju bashkon Amerika…
Po, e di, por jemi larg. Me Dinellën, Muhedinin, M. Jankun jemi takuar në finalet e “Euro 2016” në Francë, ku qëndruam e pamë dy ndeshje. Ndjek kampionatin, Kombëtaren, janë pjesë emocionale, nostalgjike të mijat, me të cilat nuk mund të ndahem lehtë.
Keni luajtur me kolosë te Dinamoja e në Kombëtare. Cilin do të vlerësonit më shumë?
Kam luajtur me tre breza: Dinamon e Qoshes, Jarecit, Lubonjës, Bushatit, Halilit; Dinamon e Gjinalit, Çeços, Zhegës, Hysit, Dautit, Sejdinit, Xhafës, Çutrës dhe Dinamon e Çirakut, Kodrës, Ibërshimit, Zërit, Përnaskës, Ballgjinit, Markos etj. Po kështu edhe trajnerë të shquar si te Dinamoja e në Kombëtare: nga Z. Gjinali, Jareci, Boriçi, Alla, Peqini dhe D. Shehu, pa harruar edhe lojtarët e ekipit përfaqësues, grumbullimet, shakatë, harmoninë, miqësitë.

Para se ta mbyllim, si është historia e golit të pësuar në Kinë?
Korrik i vitit 1966. Ishte një turne miqësor i ekipit Shpresa. Trajnerë janë Jareci, Resmja, përgjegjës A. Mazreku. Pas përfundimit të ndeshjes në Pekin ku humbëm, në dhomat e zhveshjes pati polemika ndërmjet meje dhe një futbollisti që reagoi ndaj tolerimeve, ku sipas orientimeve, rezultati nuk kishte rëndësi. Kur u kthyem në Tiranë, më çuan si dënim tek ekipi i rezervave të Dinamos, që kishin kampionatin e tyre, e ku trajner ishte S. Begeja. Në Berat, gjatë një ndeshjeje më provokuan, reagova. Më dhanë masë disiplinore 6 muaj të mos luaja me Dinamon e cila mori T. Jozen, kurse unë kërkova federimin, më priste 17 Nëntori. Por nuk ma dhanë. Vendimi nuk u zbatua, pasi për nevojat e ekipit u thirra në skuadër.
A keni ndonjë peng në një karrierë kaq të gjatë?
Në mënyrë modeste them se kam pasur një karrierë të suksesshme, edhe pse disi ndryshe nga sa e kisha parashikuar. I pasionuar pas atletikës, fati e deshi që të bëhesha portier, të luaja me një klub të madh deri edhe në Kombëtare.
*Ky artikull është ekskluzivisht për “PanoramaSport.al’. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë dhe pa vendosur hiperlinkun e artikullit origjinal do të ndiqet në rrugë ligjore.













