Ja përse Interi blen edhe në borxhe

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 5, 2015 | 12:34

Ja përse Interi blen edhe në borxhe

interNjëqind e tre milionë euro humbje në bilancin e sezonit të fundit, të publikuar tetorin e kaluar, duket se do të rikuperohen vetëm në një pjesë për bilancin e ardhshëm. Edhe pse Interi ndodhet në një situatë jo shumë pozitive ekonomikisht, drejtuesit e skuadrës, duke ndjekur një strategji të studiuar, nuk kanë hequr dorë nga shpenzimet.

Leksioni

Erik Tohir ka kuptuar se në Ligën e Kampioneve, Interi mund të futet vetëm nëse rrit nivelin teknik të ekipit. Për të përfituar bonuset e majme që ndan UEFA për më të mirat e Europës, indoneziani ka marrë një risk të madh. Ai po investon me shpresën që Interi brenda pak vitesh të shlyejë vetë shifrat e derdhura. Një rrugë të tillë 44-vjeçari e mori duke u konsultuar me Fasonen (drejtori i përgjithshëm) dhe Auzilion (drejtori sportiv) dhe i kushtëzuar nga Mançini, i cili i premtoi se do të qëndronte vetëm nëse do të stërviste lojtarë kalibri.

Masat

Fasone dhe Auzilio deri më tani kanë operuar në merkato sipas nevojave të zikaltërve. Jo më kot ata kanë blerë me para në dorë vetëm dy futbollistë (Murijon nga Granada dhe Kondogbian nga Monako). Për të mos përkeqë- suar buxhetin aktual, bashkëpunëtorët e Erik Tohirit kanë preferuar të operojnë në merkato duke huazuar me të drejtë blerjeje futbollistët e tjerë. Fasone dhe Auzilio kishin nisur të përdornin këtë sistem një vit më parë me Dodo (huazim për dy vite dhe shlyerje e vlerës së kartonit me këste 2016-2019), M’Vila (huazimin për dy vite nga Rubin Kazani) dhe Osvaldo (u huazua për një vit nga Sauthemptoni). Ndërsa për Montojën, Mirandën dhe Jovetiçin, zikaltrit kanë menduar për huazimin me të drejtë blerjeje pas dy sezonesh. Në këtë mënyrë, ata do t’u japin frymë- marrje bilanceve të klubit. Kështu, 103 milionët humbje duhet të shkojnë në 30, aq sa është edhe limiti i humbjeve për një klub nga UEFA.

Shitjet

Gjatë kësaj merkatoje vere, Interi ka investuar plot 65 milionë euro (shumë kjo që do të shlyhet me kalimin e viteve). Erik Tohir ka arritur ta bëjë diçka të tillë falë punës së dyshes Fasone-Auzilio. Ata jo vetëm që janë munduar të shpenzojnë sa më pak para, por edhe kanë arkëtuar rreth 20 milionë (duke shitur ose huazuar rreth 15-20 lojtarë të rinj). Tani kjo shifër mendohet të rritet nëse do të llogarisnim paratë që do të përftohen nga shitja e Shaqirit, Nagatomos, Andreolit, Skelotos, Taiderit e D’Ambrozios dhe nga kursimi i pagave të tyre.