Ish-sulmuesi i Partizanit shpërthen kundër Hamitit: Klubet të reagojnë, arbitrimi është skandaloz

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 6, 2026 | 11:54

Ish-sulmuesi i Partizanit shpërthen kundër Hamitit: Klubet të reagojnë, arbitrimi është skandaloz

Partizani e përfundoi rrugëtimin në Kupën e Shqipërisë teksa të kuqtë nuk mundën të shkonin më shumë se raundi çerekfinal. dostiKryeqytetasit edhe pse e kishin fituar 0-1 ndeshjen e parë në Elbasan, u përmbysën në “Arenën e Demave” me miqtë që fituan pas kohës shtesë me rezultatin 1-3. Një penallti e akorduar për verdheblutë pesë minuta nga fundi i 120 minutëshit total të ndeshjes, “tërboi” vendasit që kontestuan fuqishëm arbitrin Eldorian Hamiti. Ky i fundit akordoi një penallti tejet të dyshimtë e konfirmuar kjo edhe nga pamjet filmike, pas një kontakti mes Atanaskoskit dhe Bunjakut.

Pas përfundimit të takimit, klubi i Partizanit reagoi ashpër në faqen zyrtare duke kërkuar ndëshkimin e Hamitit ndërsa e shpalli gjyqtarin “Non Grata” për pjesën e mbetur të sezonit. Ndërkohë, në një reagim të shkurtër për “Panorama Sport”, ish-sulmuesi i Partizanit, Edmond Dosti, theksoi se të gjitha skuadrat e Superiores duhet të reagojnë për arbitrimin skandaloz të Hamitit, pasi siç i ndodhi Partizanit, në një tjetër ndeshje mund t’iu ndodhë atyre. Sakaq, Dosti shtoi se arbitrat duhet të ndëshkohen në momentin që gabojnë rëndë, ashtu siç veprohet në të gjithë kampionatet e Europës.

“Sot e pësoi Partizani, nesër mund ta pësojnë skuadra të tjera. Ndaj të gjitha klubet duhet të protestojnë fort për të tilla arbitrime skandaloze. Nuk mund të tallet askush me investimet e presidentëve dhe me mundin e djersën e futbollistëve në fushën e lojës. Ishte një vendim skandaloz. Po këta arbitra kush i monitoron për arbitrimin dhe pse nuk dënohen si në kampionatet e Europës?”, përfundoi në reagimin e tij Edmond Dosti.

PANORAMASPORT.AL