Ish-i Bejl mund Totenhemin, Reali finalist edhe pa Ronaldon

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 5, 2015 | 12:04

Ish-i Bejl mund Totenhemin, Reali finalist edhe pa Ronaldon

realiMjaftuan golat e Hames Rodriguezit dhe ai i ish-it Garet Bejl në fitoren e Realit të Madridit kundër Totenhemit me rezultatin 2-0. Gjysmëfinalja, e para e turneut “Audi Cup”, e zhvilluar në Mynih, në stadiumin “Allianz Arena”, mungoi në ritëm, ndoshta edhe si rrjedhojë e dy mungesave jo pak të vogla në formacionin e Rafael Benitezit, Kristiano Ronaldo dhe Karim Benzema. Gjithsesi, në fund, “galaktikët” arritën të fitonin përballë kundërshtarëve anglezë, të cilët treguan një shënjestër të dobët përpara portës, duke qenë se në gjysmën e pjesës së parë ishin ata që dominuan.

Madje, Totenhemi e nis me vrull, sepse që në minutën e tretë, Lamela humbet një rast flagrant, duke e dërguar topin mbi traversë, nga një pozicion ideal. Reali përgjigjet me një goditje spektakolare të Heses, por akoma më i bukur ishte reagimi i portierit Vorm. Si për çudi, zotërimi i topit është më i madh për grupin e Poketinos, por edhe pse krijojnë volum loje, asnjëherë nuk arrijnë ta furnizojnë siç duhet Herri Kejnin në zonë, i cili duhet të bëjë sakrifica për të pasur kontakt me sferën. Dhe të gjitha këto gabime të “Spërs”-ave i dënon Hames Rodriguezi. Në të 36-tën, pesë minuta pasi Bejli kishte humbur një rast të pastër, mesfushori kolumbian driblon mes Daierit dhe Rouzit, duke mundur portierin Vorm për të zhbllokuar takimin. Pjesa e dytë ofron si gjithmonë “valsin” e gjerë të zëvendësimeve, si dhe disa luftime thuajse të kota në zonë mes Ramosit dhe Kejnit, ndonëse ai që i afrohet barazimit ishte Eriksen, me një goditje që nuk përfundoi në rrjetë për arsye centimetrash. Me kalimin e minutave, Totenhemi ul ndjeshëm ritmin, duke menduar ndoshta edhe për debutimin në kampionat, në fund avë. Ky fakt i lejon më shumë hapësirë Realit të Madridit, i cili blindon fitoren me një goditje potente të ish-it Garet Bejl, pas një aksioni solitar. 2-0 për spanjollët dhe kaq mjafton për të merituar finalen e këtij turneu veror, sot përballë vendësve të Bajernit të Mynihut, një përballje me aromë Champions-i…

REAL MADRID 2 TOTENHEM 0
GOLAT: Rodriguez 35′, Bejl 78′
REALI I MADRIDIT (4-4-2):Kasija; Danilo, Varan, Ramos(67′ Naço), Marselo (58’Arbeloa); Modriç (59’Ijarramendi), Kros (46’Vaskuez), Rodriguez (46’Kazemiro), Isko(67′ Asensio); Bejl (81’Majoral), Hese (59′ Çerishev).
Trajner: Rafael Benitez
TOTENHEM (5-4-1): Vorm;Uolker, Alderveireld, Rouz,Vimer (46′ Vertongen), Daier(46′ Bentaleb); Dembele,Lamela (46′ Shadli), Eriksen(68′ Kerroll), Ali (68′ Uinks);Kejn (85′ Onomah).
Trajner: Mauricio Poketino
ARBITËR: Gynter Perl(Gjermani)
KARTON I VERDHË: Ramos 54′