Ish-futbollisti Luan Seiti: Ky Luftëtar, si i brezit të Brahos dhe Kallucit
Luan Seiti, emblema e gjallë e futbollit bluzi në vitet 1980- 1990, ndihet më shumë se i lumtur për arritjet e skuadrës në këtë sezon futbollistik. Në një intervistë për “Panorama Sport”, ai i ka bërë një analizë të detajuar bluzinjve si dhe ka folur për pjesëmarrjen në Europë, por edhe gjërat që duhen bërë mirë për një tjetër përfaqësim dinjitoz në Superiore sezonin e ardhshëm.

Luan, ç’mund të na thoni për Luftëtarin e sezonit që sapo u mbyll?
Luftëtari në fushë pavarësisht formulës së kampionatit me dhjetë skuadra i kaloi të gjitha pritshmëritë. Nga një skuadër me një këmbë drejt greminës pas javëve të para, falë grupit dhe shpirtit të sakrificës të gjithë futbollistët e aktivizuar u treguan më shumë se burra në fushë dhe realizuan objektivin. Të gjithë meritojnë një emër, “Luan”.
Si një ish-futbollist i kësaj skuadre, ju kujton diçka ekipi aktual?
Më sjell në kujtesë vitet tona të arta. Në ato vite në përbërje të skuadrës, figurat e shquara si Sefedin Braho, Theodhori Kalluci, Astrit Boni, Milto Gurma e shumë të tjerë e renditën Luftëtarin si nënkampion të sezonit 1977 – 1978. Vitet i lënë radhën njëri-tjetrit dhe Luftëtari i brezit që unë i përkisja do të ballafaqohej në Kupën Ballkanike në vitin 1988.
U renditëm të pestët në klasifikim dhe në sajë të rregullores së atyre viteve na u dha mundësia për të luajtur me Sofjen e Bullgarisë, me ekipin rumun të Argjeshës së Piteshës dhe Paokun. Arritje e madhe për ato vite, por kjo e Luftëtarit aktual merr të tjera dimensione në futbollin e sotëm.
Kush mendon se është “çelësi” i suksesit të kësaj skuadre?
Një pyetje sa e lehtë dhe e vështirë për t’i dhënë një përgjigje të zgjuar. Cilësia e formacionit, bashkëjetesa brenda familjes pa harruar punën e drejtuesve me presidentin Tavo të parin, por pa harruar edhe punën e trajnerit Lika.
Meqë folët për trajnerin, e ardhmja e tij është disi në dyshim. A duhet të jetë ai sërish në krye të ekipit?
Nëse Lika do të jetë ose jo trajneri i Luftëtarit sezonin e ardhshëm, këtë e vendosin drejtuesit. Personalisht, gjykoj dhe mendoj se Lika ka përvojë dhe eksperiencë pozitive në futbollin shqiptar. Është njohës i mirë i mentalitetit të futbollit tonë. Ai e mori “për dore” ekipin në momentin e tij më të vështirë dhe bëri atë që pakkush e kishte imagjinuar. Një trajner i huaj nuk do të ishte i suksesshëm për vetë kushtet që ofron kampionati ynë. Ai (Lika) e mori ekipin në “pikën e vdekjes” dhe e solli në nivele të kalibrit europian. Ndaj insistoj se trajnerët shqiptarë janë më shumë të suksesshëm se të huajt. Në qarkullim ka shumë trajnerë të mirë. Një pjesë e mirë drejtojnë disa skuadra në Kosovë.

Nga duhet të nisë puna me skuadrën që të përfaqësohet denjësisht sezonin e ardhshëm?
Së pari nga dhënia fund e dilemës së emrit të stolit, ruajtja e bërthamës së grupit dhe nga cilësia e merkatos. Janë larguar emra të rëndësishëm si Bregu dhe Abazaj, ndaj sa më shpejt dhe në kohë të zëvendësohen këta dy lojtarë më mirë do të jetë. Një portier tjetër, (Ruçin aq sa unë di nga futbolli do ta preferoja si të parë) një qendërmbrojtës, dy sulmues krahu do të mjaftonin për të pasur një Luftëtar dinjitoz sezonin e ardhshëm. S’kam qenë dhe nuk do të jem “partizan” i merkatos së “fryrë”. Pak dhe saktë.
Kur ju luanit futboll, lojtarët ishin vendës, por sot gjërat kanë ndryshuar…
Edhe Flamurtari që ka një emër në futbollin tonë ka pak vlonjat. Në kushtet e ekonomisë së tregut s’duhet të paragjykojmë këtë fenomen. Luftëtari nuk është gjirokastrit. Lojtarët që luajnë përfaqësojnë këtë fanellë dhe për mua janë futbollistë gjirokastritë. Që të jesh lojtar i denjë për të përfaqësuar ngjyrat e ekipit të vendlindjes duhet punë, regjim sportiv dhe respekt për fanellën.

Në kohën time nuk ma hapi askush rrugën, ndërsa lojtarët e rinj, vendësit, rrugën e gjatë e synojnë nga e shkurtra. Futbollist nuk bëhesh me ndërhyrje të trajnerit apo te të tjerët. Askush nuk të ha hakun dhe djersën. Me paraqitje sa më të mirë në stërvitje dhe në testet e kontrollit, çdo i ri ka mundësinë t’i tregojë trajnerit sa i vlen “lëkura”. Punë dhe vetëm punë. Vetëm kështu bëhesh futbollist.
Dhe në fund, sa besoni ju personalisht te suksesi i Luftëtarit në Europë?
Gjithçka është lidhur me shumë komponent. Startimi i përgatitjeve në kohën e duhur me njeriun e duhur (trajnerin), nivelin lojtarëve që do të plotësojnë boshllëqet e krijuara dhe mbi të gjitha nga menaxhimi. Presidenti Tavo tashmë e ka fituar përvojën e mjaftueshme që Luftëtari të ecë në gjurmët e lëna në sezonin e sapombyllur.













