Ish-futbollisti i brezit të artë: Flamurtari po ndryshon, Moriero bën diferencën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 18, 2025 | 9:42

Ish-futbollisti i brezit të artë: Flamurtari po ndryshon, Moriero bën diferencën

Thanas Gjyli një nga ish futbollistët e brezit të artë të Flamurtarit, këtë sezon po ndjek kuqezinjtë si në shtëpi, transferta por edhe në stërvitje. Kush më shumë se sa ai mund të bëjë një “skaner” real të gjendjes së skuadrës sot.

Screenshot 2025-11-18 094217

Për “Panorama Sport”, Gjyli shprehet se trajneri Francesko Moriero po sjellë ndryshimin. Ai thotë se skuadra ka luajtur më mirë jashtë fushës së saj. “Flamurtari ka luajtur shumë ndeshje më mirë në transfertë se sa në shtëpi. Një gjë është e rëndësishme që skuadra po ndryshon dhe po ngrihet. Shikohet që edhe trajneri Moriero po bën ndryshimet. Unë kam ndjekur stërvitjet dhe në ndeshjen e fundit Moriero kishte synim që mos ta humbisnim këtë ndeshje. Në pjesën e parë kishin oshilacione dhe gjysmën e fushës ia lamë Bylisit. Në pjesën e dytë me ndërrimin e Diavarasë ndryshuam shumë dhe kishim kundërsulme. Ne tani po shikojmë pikët dhe nuk duhet të gabojmë. Nëse do të vazhdojmë kështu edhe pikët do të vijnë”, thotë fillimisht Gjyli.

GRUPI I LOJTARËVE – Ishmesfushori Thanas Gjyli që ka luajtur me Flamurtarin dhe Apoloninë, mendon se skuadra ka cilësi. “Më bëhet qejfi që futbollistët që po aktivizohen tani janë të impenjuar si në stërvitje ashtu edhe në ndeshje. Duke pasur një grup të mirë lojtarësh, pavarësisht dy-treve që mund të bëjnë xhiro, këto ndodhin dhe te Liverpuli. Por një trajner i mirë duhet t’i marrë edhe lojtarit më të dobët ndeshjen e tij që i vlen trajnerit.

Ne do të fokusohemi si ekip pasi kemi edhe lojtarë të dëmtuar. Ne duhet të shikojmë pak tranzicionin pozitiv dhe negativ. Ne kur humbet topin kundërshtari nuk e kemi ndjenjën që ta kapim kundërshtarin në befasi. Ne shikojmë që ta kemi topin në mbrojtje. Nuk e kanë ndjenjën e dublimit, markimit. Po të shikoje Bylisi luante ngushtë, këtë gjë duhet të bëjmë edhe ne. Por me rikthimin e të dëmtuarve Moriero do të ketë më shumë alternativa”, shprehet 59-vjeçari.

TË GJITHA FINALE – Thanas Gjyli mendon se duke nisur me Tiranën të gjitha ndeshjet duhet të konsiderohen si finale. Ish-mesfushori thotë se nuk duhet të shikohen kundërshtarët por mendja duhet të jetë vetëm te ndeshja e radhës. “Të gjitha ndeshjet që ne kemi ne rival direkt si me Tiranën, Vorën, Partizanin, Bylisin apo edhe ne Teutën duhet t’i shikojmë si ndeshje finale. Janë edhe tri faza.

Mos harro që vjet Tirana nuk doli dhe bëri 20 e ca barazime. Për ne të gjitha ndeshjet janë finale. Nuk na intereson se kush është para dhe kush është pas ndesh por duhet që ndeshjet t’i shikojmë një e nga një për veten tonë. Të shikojmë të marrin pikët që na duhen. Duhet të interesohemi tek ndeshja me Tiranën. Nuk na intereson se çfarë bëjnë ekipet e tjera. Ato do të na vijnë. Jam i bindur që Moriero është me “këmbë në tokë”. Ne na interesojnë pikët se me çfarë loje, me bukur apo mesatare, na duhet vetëm të marrim pikë”, përfundon Gjyli.

ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL