Ish-futbollisti, Çobani analizon situatën e bardhebluve: Tirana rrezikon rënien, nuk mund të hiqet trajneri për 3 javë
Në një intervistë për “Panorama Sport”, ish-futbollisti Artur Çobani ka analizuar Superioren, duke u ndalur edhe te skuadra e Tiranës, e cila në fakt nuk po kalon një moment të mirë këtë sezon.
Çobani u shpreh se Tirana ka probleme të shumta, të cilat nuk lidhen vetëm me anën financiare, por listoi edhe të tjera gjëra, të cilat sipas tij kanë ndikuar në këtë ecuri të bardhebluve. Ish-futbollisti u shpreh se ndjen keqardhje për situatën në të cilën bardheblutë ndodhen, sidomos duke marrë parasysh faktin se sa tifozë ka skuadra.
Tiranën, si e sheh për situatën në të cilën ndodhet, pasi të paktën në dy sezonet e fundit ka qenë jashtë pritshmërive, duke luajtur edhe në “Play Out”. Çfarë mendon se nuk po shkon?
Tirana i ka problemet me drejtimin, sigurisht me presidencën. Ka tani një trajner të ri, përveç probleme financiare që ka, Tirana ka pasur dhe problemin e mospasjes së një shtëpie ku mund të luajë. Mos të harrojmë që vjet shëtiti në të gjithë Shqipërinë për të gjetur një stadium ku mund të luajë dhe kjo nuk është gjë e paktë. Kështu që derisa të zgjidhë këto probleme, sidomos me presidencën, që të konsolidohet siç ka qenë, Tirana do t’i vazhdojë problemet. Dhe mua vjen keq sepse klubi më i titulluar. Është nga që ka shumë tifozë edhe që realisht e ndjejnë këtë moment të Tiranës, në këtë gjendje kaq të vështirë sa është. Kështu që Tiranën e ndryshon vetëm presidenca. Presidenca duhet ta shohë, se si do t’i zgjidhë problemet e saj, që Tirana të mos ketë më probleme. Kthimi në stadiumin “Selman Stërmasi” ose stadiumin Dinamo ta quaj, ndoshta mund të jetë një faktor ndihmës për Tiranën më të ardhmen. Por e shoh domethënë shumë të vështirë, sepse imagjino, ndërroi trajnerin që në javë të tretë, ose më mirë të themi, e filloi pa një trajner të mirë menduar. Për mendimin tim, ai djalë nuk u la as të punonte. Bëri shumë mirë që mori një djalë të ri siç ishte Mile, por nuk mund ta largosh pas 2-4 javësh. Edhe ky trajneri italian mund të marrë rezultate negative për 2-3 javë dhe çfarë? Ta ndërrojmë përsëri? Prandaj them që përveç problemeve financiare, ka edhe çekulibrim.
Në cilësi si të duket skuadra?
Shiko, janë futbollistë që akoma nuk i kemi parë mirë në cilësi se si janë. Janë emra që nuk janë të njohur në futbollin shqiptar edhe ata pak emra që kishte, dy-tre që bënin diferencën vjet, janë larguar. Kështu që çfarë mund të themi? Çfarë mund të themi më shumë? Unë nuk mund të them dot më shumë gjëra, domethënë për Tiranën, sepse akoma nuk e di se sa e kanë bagazhin këta futbollistë që kanë ardhur sot këtu te Tirana për të punuar me Tiranën. Por veç gjendja qe ata janë në fund të tabelës klasifikimit, tregon që te Tirana duhet të bien shumë fort kambanat, por kambanat bien nga brenda dhe presidenca duhet të marrë situatën në dorë për ta ndryshuar.
Kur nis sezoni, thuajse të gjitha ekipet kanë si objektiv titullin kampion ose Final 4. A i sheh dy ekipe që janë realisht të rrezikuara për të rënë nga kategoria, të paktën me sa ke parë deri më tani, ose edhe duke menduar pak vazhdimësinë?
Shpejt është për ta thënë. Por ama me këtë formulë, të kthehem përsëri, te ajo që thashë më përpara, rrezikun e kanë që të gjithë për të rënë nga kategoria, sepse katër skuadra shpëtojnë se hyjnë në Final Four, pavarësisht diferencës së pikëve që kanë dhe gjashtë skuadra të tjera do të luajnë për të qëndruar. E kupton se sa e vështirë është? Kujt ja merrte mendja se në fund fare do të shkonte Korça, do të binte nga kategoria. Se disa momente Korça ishte gati edhe afër vendit të katërt. Prandaj them se nuk mund të paragjykosh në këtë moment, por nëse do të vazhdojë kështu siç është, aty brenda do të jetë edhe Tirana, edhe Partizani edhe Dinamo, sepse ne po e shohim vetë si po luan. Prandaj, vazhdimësia e kampionatit do të tregojë më të rrezikuarat, por Tirana për mua duket e rrezikuar nëse nuk ndryshon. Nëse për Partizanin, Dinamon mund të themi që ka kontingjente sepse ka bërë investime, ka bërë blerje, ka dhënë shenja, të ndryshme, Tirana nuk ka dhënë shenja për të thënë se po, mund të ndryshojë në të ardhmen.
Ditmar Bicaj duket pranë emërimit si trajner te Lushnja, megjithëse emri i tij u lakua edhe te Tirana. A mendoni se është i duhuri për situatën ku ndodhet Lushnja?
Nuk e di se kush do të jetë trajner sepse nuk kam folur me Bashkinë për këtë çështje, por kushdo që të shkojë, do të gjejë në Lushnje një atmosferë dhe një ambient shumë të zjarrtë, sepse atje është një qytet futbolldashës. Atje është një qytet që jeton me futbollin dhe mua realisht më vjen keq sepse edhe Bashkia është një ndihmë e madhe sepse investon 500 milionë lekë dhe këto janë pak për të mirën e futbollit. Prandaj them që trajneri do të gjejë një skuadër me cilësi, një bashki që investon para dhe një tifozeri që e mbështet skuadrën jashtëzakonisht shumë dhe që patjetër e meriton që të ketë një skuadër cilësore që përmbush pritshmëritë që tifozeria e Lushnjës ka.
ERJON ALLARAJ-PANORAMASPORT.AL













