“Inzagi është lideri i Interit”, legjenda Zaneti: Lautaro Martinez ka shanse për të fituar “Topin e Artë”
Zëvendëspresidenti i Interit, Havier Zaneti, nuk ka asnjë dyshim se Lautaro Martinez është një nga pretendentët për “Topin e Artë”, ndërsa ia atribuon gjithashtu meritat trajnerit Simone Inzagi për transformimin e zikaltërve një forcë konkurruese në skenën europiane. Legjenda zikaltër pret një finale të luftuar fort dhe të ekuilibruar kundër PSG-së.
“Në gjysmëfinale, u përballën dy ekipe me stile loje shumë të dallueshme dhe qasje të ndryshme sulmuese”, ka thënë fillimisht ai.
“PSG në finale? Mendoj se është një ndeshje 50-50. Ata gjithashtu e meritojnë plotësisht të jenë në finale. Është një ndeshje e vetme dhe ne duhet të dalim atje dhe të luajmë lojën tonë, duke shpresuar të ruajmë nivelin që kemi treguar në këto dy ndeshje gjysmëfinale. Inzagi është lideri i padiskutueshëm i kësaj skuadre. Ai ka qenë me ne për katër vjet dhe i ka bërë të gjithë shumë konkurrues. Me të, kemi arritur në dy finale të Ligës së Kampioneve në tre vjet. Shpresoja që ai të bëhej trajneri që është sot”.
“Lautaro? Në ndeshjen kundër Barcelonës, ai dha gjithçka derisa u zëvendësua. Ai është i rëndësishëm si për Interin ashtu edhe për ekipin kombëtar. Ai gjithmonë jep më të mirën e tij. Dhe nuk ka dyshim se ka atë që duhet për të fituar Topin e Artë. Ai është i lumtur këtu, ndihet i vlerësuar dhe i rëndësishëm. Ai ka një ndjenjë të fortë përkatësie. Kur ndihesh rehat, kjo ndihmon shumë”, përfundoi legjenda e Interit për Radio La Red.
BRIKENA BISKU-PANORAMASPORT.AL













