Intervistë ndryshe/ “Zbërthehen” Olberkis e Dros, futbollistët e Elbasanit zbulojnë të veçantat
Në prag të nisjes së sezonit të ri, Elbasani ka nisur jo vetëm përgatitjet në fushë, por edhe një tjetër “ndeshje”, atë të komunikimit të drejtpërdrejtë me tifozët. Klubi u ka dhënë mundësinë mbështetësve verdheblu që të bëhen vetë gazetarë, duke drejtuar pyetje për dy nga figurat më të spikatura të sezonit të kaluar: mbrojtësin lituanez Sigitas Olberkis dhe mesfushorin moldav Kristian Dros.

Nga objektivat për Champions, te kujtimet nga ndeshjet më të vështira, e deri te shakatë në dhomat e zhveshjes, dy lojtarët ndajnë mendimet e tyre në një intervistë ndryshe, përmes syve të atyre që i ndjekin çdo javë nga shkallët e stadiumit.
A mendoni se mund të arrini kualifikueset e Champions League?
Olberkis: Mendoj se është ende herët për të folur për këtë. Ambicia është gjithmonë pozitive, por aktualisht të gjithë në skuadër jemi të fokusuar tek stërvitja e radhës dhe të japim 100%. Normalisht që e dëshirojmë, por nuk jemi duke e menduar si objektiv afatshkurtër për momentin.
Cili është mendimi juaj për qytetin dhe tifozët?
Dros: Qyteti është shumë i mirë, por më shumë më kanë bërë përshtypje tifozët. Na mbështesin në çdo ndeshje dhe kjo na jep energji për të dhënë më të mirën.
Olberkis: Shpresoj që këtë sezon të jenë edhe më të shumtë dhe të na qëndrojnë pranë edhe kur rezultatet nuk janë pozitive.
Sigi, mendon se këtë sezon do të vijë një ftesë nga kombëtarja e Lituanisë?
Olberkis: Kjo është e vështirë për t’u thënë. Nuk vendos unë, por federata dhe trajneri i kombëtares. Unë punoj fort dhe shpresoj, por në futboll kurrë nuk i dihet.
Cila ka qenë ndeshja më e vështirë sezonin e kaluar?
Olberkis: Laçi në transfertë. U përpoqëm të luanim stilin tonë, por pas 10-15 minutash e kuptuam që duhej t’i përshtateshim ndeshjes dhe të ruanim rezultatin.
Dros: Për mua, ishte ajo ndaj Dinamos.
Si e motivoni veten para një sfide?
Olberkis: Mendoj shumë për mënyrën si stërvitem dhe për sa energji jap në prag të ndeshjes. Nëse nuk e shfaq në fushë, gjithçka është e kotë. Mundohem të fokusohem dhe të jem i qetë.
Dros: Mendoj për rezultatin final. Nëse fitojmë, e ndjej që kemi bërë krenarë ekipin, qytetin dhe tifozët.
Dros, do të shënosh sërish si ndaj Teutës?
Dros: Do të përpiqem. Dua të shënoj më shumë dhe të ndihmoj ekipin me gola dhe tri pikë në çdo ndeshje.
Çfarë përshtypje ju ka lënë Shqipëria dhe kush ju ndihmoi të përshtateshit?
Olberkis: Përshtypje e veçantë, shumë ndryshe nga Lituania. Klima ishte një nga sfidat e para. Dros më ndihmoi shumë në fillim, e kuptova që flet edhe rusisht dhe u bëmë miq shpejt.
Dros: M’u duk e lehtë të përshtatem. Djemtë dhe stafi më ndihmuan shumë. Më pëlqen klima, plazhi, natyra. Shqipëria ka gjithçka.
Jeni ende të mërzitur nga disfata në javën e fundit?
Olberkis: Po, shumë. Pres me padurim ndeshjen e radhës kundër tyre.
Dros: Edhe unë. Nuk harrohet lehtë.
Cili është lojtari më teknik në ekip dhe në Europë?
Olberkis: Në ekip, sigurisht që duhet përmendur Emiljano Musta. Në Europë… Ronaldinjo, Mesi, Isko.
Dros: Në ekip është Olberkis (qesh). Në Europë, ndoshta Mbape.
A mendoni se Elbasani meritonte më shumë sezonin e kaluar?
Olberkis: Është një pyetje objektive. Në bazë të ndeshjeve, besoj se meritonim më shumë. Por futbolli është i paparashikueshëm. Mendoj se bëmë një sezon të mirë, sidomos për një ekip që vinte nga Kategoria e Parë.
A është Europa objektiv këtë sezon?
Dros: Po punojmë për ta arritur. Kjo është ajo që duam, për veten tonë, për ekipin dhe për tifozët.
Olberkis: Duhet të kesh një objektiv për të pasur motivim. Ne e kemi. Stërvitemi dhe japim maksimumin për të arritur Europën.
Cili është humoristi i ekipit?
Dros: Për mua, është Olberkis (qesh).
Olberkis: Landi, fizioterapisti ynë, ka disa shaka interesante, edhe pse ndonjëherë vështirë për t’u përkthyer. Qesh më shumë me Joel dhe Ibrahim në stërvitje. Bëjnë gjëra që më bëjnë të buzëqesh, por s’mund të qesh në fushë, se na nxjerr trajneri jashtë (qesh).
VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL













