Iliria përforcohet me lojtarin që e nisi te Partizani, sot miqësore me Tiranën
Iliria vijon të surprizojë në këtë merkato vere. Stafi teknik në bashkëpunim me presidencën fushëkrujase, ka bërë të mundur që të ofrojë në skuadër emra cilësorë dhe të përkushtuar në misionin e saj.

Edhe pse debutuese këtë sezon në Kategorinë e parë, Iliria do të kërkojë ngjitjen në elitën e futbollit shqiptar. Afrimi më i fundit tek Iliria, sikurse bën me dije klubi fushëkrujas, është mbrojtësi i majtë kryeqytetas, 31-vjeçari Arit Peposhi, që ka një karrierë mjaft të pasur si në kampionatin shqiptar edhe në atë kosovar. E nisi karrierën atje ku lindi dhe u rrit si futbollist, te Partizani me grupmoshat e vijoi me të rriturit e Partizanit.
Më pas te Tirana, Teuta, Bylis, Korabi, Kukësi dhe Erzeni në kampionatet shqiptare, por ka qenë dhe pjesë e Llapit dhe të Vushtrisë në kampionatin kosovar. Kjo karrierë kaq e pasur dhe forma e tij mirë fizike, bën që kjo të jetë për Ilirinë një tjetër goditje “big” pas asaj të Mazrekës.
Ndaj, Iliria vjen edhe më e përforcuar këtë sezon të ri, ku do të kërkojë të konkurrojë denjësisht dhe me pretendime në Kategorinë e Parë. Skuadra vijon të përgatitet e të stërvitet çdo ditë. Madje, Iliria ka planifikuar që të zhvillojë edhe një tjetër test miqësor në stadiumin e Fushë-Krujës sot, në ora 18:00, kundër ekipit të Tiranës.
ABDULLA DUSHKU-PANORAMASPORT.AL













