Iku një formacion luksi, si u “çmontua” Partizani. Të kuqtë “u tkurrën” për vetëm 2 vite
Partizani është më i dobët seç ka qenë në dy sezonet e shkuara. Ky është bilanci që mund të nxjerrim nëse i bëjmë një analizë hyrje-daljeve të klubit të kuq në dy vitet e fundit.
Janë larguar lojtarë tejet cilësorë dhe kanë ardhur të tjerë, që nuk kanë arritur t’i zëvendësojnë në asnjë moment të ikurit. Përbri shkrimit keni dy formacione, i pari është me lojtarët e larguar, që do të përbënin një 11-she luksi, dhe ekipi aktual, i cili, për hir të së vërtetës, është në një krizë loje, identiteti dhe po vë në dyshim të madh objektivat sezonale të vendosura nga drejtuesit.
LARGIMET – Që nga janari i vitit 2023, Partizani nisi një ofensivë largimesh të lojtarëve që u kishin dhënë tonin jo vetëm të kuqve, por edhe gjithë Superiores. Dy të parët ishin Skuka dhe Bitri, që i dhanë një goditje mjaft të madhe ekipit, por arritën të shpalleshin kampionë. Në verën e vitit 2023, klubi vendosi shitjen e Matondos, i cili nuk ishte i kënaqur me kushtet e rinovimit dhe këmbënguli për largimin. Largim “i rëndë” mund të konsiderohet edhe ai i Hotit, që në vitin e titullit arriti të ishte një nga pikat kyçe të skuadrës. Në verën e vitit të shkuar nisi një ofensivë akoma më e madhe largimesh.
I pari që shpalli divorcin ishte Eljon Sota, teksa rrugën e tij e ndoqën edhe Mensah, Murataj dhe Da Silva. Largimi më i madh mund të konsiderohet Maget, që e la ekipin në ditët e fundit të merkatos. Mbërrijmë në janar të këtij viti, kur numri i daljeve mori të tjerë përmasa. Lojtarë kyç si Rrapaj, Hadroj, Cara dhe Mba u larguan nga të kuqtë, duke u bërë edhe shkaku kryesor që skuadra po vuan tani. Për t’u përmendur është rasti i Atanaskoskit, i cili u largua në verën e shkuar, por u kthye tani në janar si zëvendësim për Zguron.
ZËVENDËSIMET – Nuk do ndonjë filozofi të madhe për të thënë se lojtarët e ardhur në këto dy vite kanë qenë nën nivelin e kërkuar dhe skuadra ka ardhur gradualisht duke u dobësuar. Nuk mund të përmendim asnjë ardhje, që ka shkuar apo ka tejkaluar nivelin e arritur nga lojtarët e larguar. Mjafton t’u hedhim një sy dy formacioneve për të bërë një krahasim se cilët prej lojtarëve të këtij ekipi do të luanin në atë të të larguarve. Ndoshta një apo dy. Është e qartë se Partizani nuk po garanton vazhdimësi sa i përket cilësisë dhe nuk po ecën me një plan, duke përgatitur apo duke afruar lojtarë që mbulojnë boshllëqet e të ikurve.
FINANCAT – Ana tjetër e medaljes janë financat. Klubi i kuq nga shumica e këtyre largimeve të rëndësishme ka përfituar financiarisht. Me një përllogaritje të përafërt, të kuqtë kanë arkëtuar afro 3.8 milionë euro nga shitjet e këtyre lojtarëve. Megjithatë, këto para duket se nuk kanë shërbyer për ta bërë Partizanin një klub që u rrëmben lojtarët më të mirë kundërshtarëve, siç në fakt duhej të ndodhte. Klubi po ndjek një tjetër rrugë, që siç e kemi shpjeguar, po mbështetet te të rinjtë. Kjo është diçka shumë pozitive, por problemi qëndron te fakti se ata tani në këtë moment nuk janë gati të ndihmojnë. Duhet theksuar se e bëjmë këtë analizë bazuar në organizimin dhe fuqinë financiare që Partizani dhe drejtuesit e saj kanë aktualisht, jo krahasuar me rivalët, që mund të kenë bërë me keq apo më mirë.
DENIS LALA-PANORAMASPORT.AL













