I palodhuri Esat Mala, mesfushori është lideri nr. 2 i Vllaznisë
Përveç Bekim Balajt që ka qenë lideri i Vllaznisë këtë sezon me 19 golat e shënuar deri tani, është edhe një futbollist tjetër që ka spikatur në radhët e kuqebluve. Fjala është për Esat Malën, i cili po kalon edicionin më të mirë në karrierë.

Dhe këtë e vërtetojnë edhe shifrat e prizrenasit, që ka qenë jo vetëm një nga lojtarët bazë të formacionit, por edhe një prej atyre që ka kontribuar më shumë. Kështu, 26-vjeçari ka zhvilluar 36 ndeshje këtë edicion me ekipin e Brdariç. Ndër këto takime, ish-futbollisti i Partizanit ka shënuar 7 gola dhe ka dhuruar 12 asiste. Shifra rekord deri tani në karrierën e shtatshkurtrit, ku, përsa u përket asisteve, asnjë futbollist nuk ka bërë më mirë se numri 20 i Vllaznisë këtë edicion.
Patjetër Mala te Vllaznia është një nga futbollistët më të vlerësuar, për vetë faktin çfarë jep në fushën e lojës. Te shkodranët shpresojnë te një formë e shkëlqyer e tij edhe në finalen kundër Egnatias, kundërshtar ndaj të cilit Mala gjeti golin në ndeshjen e fundit të përfunduar në shifrat 2-2 mes dy skuadrave. Po ashtu, eksperienca e mesfushorit në një duel të tillë kaq vendimtar është me të vërtetë e vlefshme. Duke konsideruar se ai është një herë kampion i vendit në sezonin 2018-19 me fanellën e Partizanit.
PANORAMASPORT.AL













