Humbet përqëndrimi te Partizani, 6 gola në 3 ndeshjet e fundit
Disfata e fundit në ndeshjen ndaj Vorës ka ndezur “këmbanat” e alarmit në skuadrën e Partizanit. Shpresat e të kuqve për të prekur zonën e “Final Four” morën një goditje të rëndë, madje tashmë një “dhimbje koke” është edhe vendi i tetë që do të thotë “play out” dhe zhvillimi i një ndeshje ekstra për të qëndruar në elitë.
Ky pozicion aktualisht mbahet nga Bylisi, por ballshiotët janë vetëm pesë pikë larg kryeqytetasve dhe mund t’i rrezikojnë edhe më shumë në të ardhmen, në rast se te Partizani nuk ka një reagim. 17-herë Kampionët e Shqipërisë duhet të rregullojnë problemet në prapavijë që janë shfaqur në tre ndeshjet e fundit të kampionatit. Nëse i hedh një sy statistikave, në tre ndeshjet e Fundit, Partizani ka pësuar gjashtë gola me një mesatare dy gola për ndeshje, ndërkohë që para këtyre tre ndeshjeve, prej momentit kur trajneri Oltijon Kërnaja mori drejtimin e skuadrës dhe debutoi me fitoren ndaj Flamurtarit, “Demat e Kuq” kishin pësuar gjashtë gola në dhjetë ndeshje me një mesatare pësimi të golave 0.6.
Diferenca është e dukshme dhe tregon qartësisht se për sfidat e radhës, reparti i mbrojtjes, por edhe skuadra në tërësi duhet të kenë një qasje më solide për të shmangur pësimin e golave dhe për të rikthyer edhe njëherë rezultatet pozitive që e dërguan skuadrën lart dhe i dhanë besimin për të tentuar vendin e katërt. Nevoja për reagim është urgjente pasi në kampin e kuq nuk do të duan të provojnë sërish agoninë e fillimit të sezonit kur gjithçka po shkonte keq e me skuadrën e ngecur në vështirësi për të gjetur vazhdimësinë dhe rezultatet pozitive.
Ndeshja e radhës e Partizanit është ajo ndaj Teutës në shtëpi të hënën e datës 19 janar teksa më pas turi i forcës do të vijojë edhe me ndeshjet me Vllazninë (transfertë) dhe Elbasanin (Arena e Demave). Në dy ndeshjet e para të këtij kampionati ndaj durrsakëve, Partizani ka një bilanc pozitiv duke koleksionuar katër pikë, një barazim dhe një fitore.
EJGI ÇABELI-PANORAMASPORT.AL













