“Hap i sigurt për dy vendet e para”, Zabërgja: Gol “i ëmbël”, Dinamo i vuri vulën derbit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 28, 2025 | 13:16

“Hap i sigurt për dy vendet e para”, Zabërgja: Gol “i ëmbël”, Dinamo i vuri vulën derbit

Baton Zabërgja rikthehet te goli pas shumë javësh, duke i dhënë tri pikët në derbin me Partizanin.ZABERGJANjë fitore që siguron “Final 4”, por njëkohësisht mban dinamovitët në garë për t’u shpallur kampionë. Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, pas ndeshjes, sulmuesi blu pohon se i kishte munguar shumë goli, edhe pse mundësitë i ka pasur gjatë këtyre ndeshjeve. Sipas tij, rrjeta në derbi shkon për shokët e skuadrës që po kalojnë dëmtime, ndërsa ka besim se do të bëjë të njëjtën gjë edhe ndaj Skënderbeut dhe skuadra të dalë me tri pikët.

Zabërgja, sa ju kishte munguar goli?

E vërtetë, u bë kohë e gjatë pa shënuar, gati një fazë. Dihet që për sulmuesit është shumë i rëndësishëm goli, por edhe pse nuk kam shënuar, mendoj se në çdo ndeshje kam dhënë maksimumin tim. Ndoshta kam pasur mungesë fati, por e rëndësishme është që erdhi ndoshta në momentin më të mirë dhe në derbi.

Kujt ia dedikoni këtë gol?

Këtë gol ua dedikoj të gjithë djemve, fillimisht atyre që janë të dëmtuar, sepse janë një mungesë e madhe për ne. Më pas, presidentit, stafit dhe të gjithë ekipit.

Çfarë nuk ka shkuar gjatë këtyre javëve që nuk keni gjetur golin?

Ndonjëherë çështje fati dhe përqendrimi, sepse kam pasur raste për gol, edhe pse nuk kam shënuar. Dihet që duhet të kesh dhe fat.

Sa e rëndësishme ishte kjo fitore për Dinamon?

Ishte shumë e rëndësishme duke pasur parasysh që ishte derbi dhe fitorja në të tilla ndeshje të shijon më shumë, sidomos në këtë fazë të kampionatit. Mendoj se ishte një vulë për kreun e tabelës.

Ndeshja e radhës me Skënderbeun, si e prisni?

Shpresoj të vazhdoj me këtë ritëm, pasi e thyem edhe akullin për golin. Të vazhdojmë me tri pikët, dhe pse jo të shënoj sërish.

Me “Final 4” të siguruar, keni objektiv tani ta mbyllni si kryesues?

Ky është qëllimi ynë, në fakt. Edhe nëse nuk do të jemi kampionë, të jemi të paktën në të dytin, për shkak të avantazhit që të jep.

 

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL