Hamilton: Dashuria ime e parë… motorët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 5, 2015 | 18:04

Hamilton: Dashuria ime e parë… motorët

hamiltonAi është aktualisht numri një në botë në Formula 1, por piloti Luis Hamilton pranon se motorët kanë qenë gjithmonë dashuria e tij e parë. Britaniku i Mercedesit vitin e kaluar u kurorëzua për herë të dytë në karrierë si kampion bote. Nëse arrin të triumfojë edhe këtë vit, atëherë ai u bashkohet emrave të Airton Senës, Xheki Stjuart e Niki Lauda në tre tituj kampionë.

Sebastian Fetel e Alen Prost kanë nga 4 tituj botërorë, Huan Manuel Fanxho 5 dhe rekordin e mban Mikael Shumaker me 7 tituj botërorë. Megjithatë, Hamilton thotë se ai fillimisht ishte më i interesuar në garat me motorë dhe shpreson që një ditë të bëjë një provë me motorë në MotoGP.

“Kur isha fëmijë kam dashur garat me motorë, – tha ai për britaniken ‘Mirror’. – Kur babai im më bleu makinën time të parë go-kart, unë në fakt doja një motor. Gjithsesi nuk jam i zhgënjyer sesi shkuan gjërat, por motorët kanë qenë dashuria ime e parë”.