Gvozdenoviç flet para ndeshjes së sotme: Partizani, rival i madh! S’ka hakmarrje sepse çdo sezon sjell histori të reja

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 20, 2025 | 8:56

Gvozdenoviç flet para ndeshjes së sotme: Partizani, rival i madh! S’ka hakmarrje sepse çdo sezon sjell histori të reja

Elbasani po shijon një nga momentet më të mira të viteve të fundit në futbollin shqiptar. Kryesimi i klasifikimit pas javëve të para ka sjellë entuziazëm në qytet, por edhe përgjegjësi për skuadrën dhe stafin teknik.

gvozdenovicc

Ndeshja ndaj Partizanit është jo vetëm një test për Elbasanin, por edhe një mundësi për të treguar se skuadra nuk është thjesht një surprizë e përkohshme. Një rezultat pozitiv do të forconte besimin e lojtarëve dhe do të dërgonte një mesazh të qartë për gjithë kampionatin: Elbasani është rikthyer si një forcë e rëndësishme në futbollin shqiptar.

GVOZDENOVIÇ – Në prag të ndeshjes ndaj Partizanit, një prej rivalëve më të fortë të kampionatit, trajneri Ivan Gvozdenoviç foli për “Panorama Sport”, duke analizuar jo vetëm kundërshtarin, por edhe gjendjen e verdhebluve dhe pritshmëritë për këtë sezon. Trajneri i Elbasanit nuk i kurseu vlerësimet për skuadrën e “demave të kuq”, të cilët prej vitesh renditen mes pretendentëve kryesorë për trofetë në futbollin shqiptar.

“Partizani është një ekip shumë i mirë, ndër më të mirët në kampionat. Kanë cilësi në sulm, janë të fortë në dyluftime dhe sidomos në lojën ajrore. Për këtë arsye ne jemi përgatitur deri në detaj, sepse përballë një rivali të tillë nuk duhet të lësh asgjë rastësisë”, u shpreh fillimisht Gvozdenoviç.

ECURIA – Tekniku serb vuri theksin te mënyra sesi skuadra e tij po reagon në ndeshjet e para të kampionatit. Sipas tij, rezultatet nuk janë thjesht rastësi, por produkt i punës dhe seriozitetit në stërvitje, duke iu kënaqur ecurisë së deritanishme.

“Jam i kënaqur me përgjigjen që po japin lojtarët. Shoh përkushtim, disiplinë dhe mbi të gjitha një dëshirë të madhe për të fituar. Në çdo javë shoh një hap përpara në aspektin taktik dhe psikologjik. Kjo më jep besim se Elbasani nuk është në krye rastësisht, por sepse e ka merituar. Ëndrrat dhe dëshira janë gjithmonë të bukura, por ne duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë. Qëllimi ynë i parë është stabiliteti dhe konsistenca. Nëse luajmë çdo javë me të njëjtin intensitet dhe vendosmëri, atëherë rezultatet do të vijnë natyrshëm. Në futboll nuk ka rrugë të shkurtra, duhet të ecësh hap pas hapi”, thekson Gvozdenoviç.

PRESIONI I VENDIT TË PARË – Një nga temat që nuk mund të mungonte ishte edhe presioni i renditjes. Pas tri javësh, Elbasani sheh veten në majë të tabelës dhe kjo padyshim sjell një lloj përgjegjësie shtesë. Por sipas trajnerit, kjo është pjesë e natyrshme e futbollit, në çfarëdo poizicioni të jesh.

“Presioni është gjithmonë aty. Kur je në krye, ke presionin e ruajtjes së vendit. Kur je poshtë, ke presionin e pikëve që të mungojnë. Në çdo pozicion të tabelës ndodh e njëjta gjë. Ndaj, për mua nuk ka ndonjë ndryshim. Në Elbasan e kemi pranuar këtë gjë dhe po mësojmë të jetojmë me të. Vetëm kështu mund të ecësh përpara. Jo, nuk bëhet fjalë për hakmarrje. Futbolli është i bukur, sepse çdo sezon sjell histori të reja. Ajo që ndodhi vitin e kaluar është kapitull i mbyllur. E vuajtëm për ato ditë dhe vetëm kaq, tani e kemi harruar atë moment. Tani kemi një sezon të ri dhe sfida të reja përpara. Shikojmë vetëm të ardhmen dhe nuk duam të jetojmë me të shkuarën”, deklaroi Gvozdenoviç.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL