Grupi A, Valbona tërhiqet nga gara. Luzi i pandalshëm, Sopoti e Besëlidhja e mbyllin në barazim

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 6, 2025 | 15:15

Grupi A, Valbona tërhiqet nga gara. Luzi i pandalshëm, Sopoti e Besëlidhja e mbyllin në barazim

Java e dytë e Grupit A në Kategorinë e Dytë solli duele interesante, ku spikat fitorja e dytë radhazi e Luzit 2008 që e ngjit në krye të renditjes me pikë të plota, ndërsa kryendeshja Besëlidhja-Sopoti nuk prodhoi fitues.

BESELIDHJA SOPOTI

Në këtë javë kemi edhe skuadra që shijuan pikët e para, ku Shiroka shkëlqeu në transfertë ndaj Adriatikut, ndërsa Tërbuni barazoi me Erzenin, ndërsa Gramshi barazoi në Koplik. Valbona fut grupin në kolaps, pasi përfundimisht njoftoi largimin nga aktiviteti.

Luzi 2008 – Naftëtari 1-0

Luzi 2008 konfirmon pretendimet për ngjitje në Kategorinë e Parë. Pas fitores debutuese, ekipi luznjak mposhti minimalisht Naftëtarin me golin e Konate në pjesën e parë. Luzi është tashmë i vetmi ekip me pikë të plota në grup dhe kryeson i vetëm renditjen me 6 pikë. Kuçovarët lujëtën me një lojtar më pak nga minuta e 70-të, ku Dedja u ndëshkua me karton të kuq.

Besëlidhja – Sopoti 1-1

Kryendeshja e javës mes Besëlidhjes dhe Sopotit, e zhvilluar në Lezhë, përfundoi pa fitues. Të dyja skuadrat zhvilluan një ndeshje të fortë dhe me ritëm të lartë, ku si vendasit ashtu edhe miqtë nga Librazhdi kërkuan maksimalisht fitoren. Akansase kaloi lezhjanët në avantazh në minutën e 5-të, por Fajcal barazoi shifrat në të 42-ën. Me këtë rezultat, të dyja mbeten në grupin e skuadrave pretendente.

Tërbuni – Erzeni 0-0

As këtë javë Tërbuni nuk arriti të marrë fitoren e parë, duke u ndalur në barazim në Pukë ndaj Erzenit. Pukjanët zhvilluan një lojë të mirë në pjesën e parë, me raste të shumta me anë të Hasajt, Karajt e Shehajt, por mungesa e finalizimit u bë përsëri problem. Erzeni reagoi në pjesën e dytë, duke marrë një pikë me vlerë në transfertë. Megjithatë, zhgënjimi në Pukë ishte i madh, me tifozët që presin reagim nga skuadra në ndeshjet e ardhshme.

Adriatiku – Shiroka 0-3

Skuadra shkodrane e Shirokës regjistroi fitoren e parë sezonale dhe e bëri këtë me stil, duke fituar bindshëm në transfertë ndaj Adriatikut. Golat e Dibrës, Dulajt dhe Tarekut vulosën suksesin 3-0, ndërsa ekipi durrsak mbetet pa pikë pas dy javësh, duke treguar se do ta ketë të vështirë garën këtë sezon.

Veleçiku – Gramshi 1-1

Një tjetër barazim në këtë javë u regjistrua në Koplik, ku Veleçiku nuk shkoi më shumë se 1-1 ndaj Gramshit. Zaraj kaloi vendasit në epërsi, por në minutat e fundit Mikael barazoi, duke i dhënë ekipit të Gramshit pikën e parë sezonale.

Valbona – Basania (nuk u luajt)

Ndeshja midis Valbonës dhe Basanisë nuk u zhvillua, pasi ekipi tropojan është tërhequr zyrtarisht nga kampionati. Rasti është tashmë në dorë të FSHF-së, e cila pritet të vendosë për përjashtimin dhe zbritjen një kategori më poshtë, siç ka ndodhur edhe në sezonet e mëparshme.

 

Kategoria e Dytë

Grupi A

Java 2, 4-5 tetor

Të shtunën

Tërbuni – Erzeni 0-0

Besëlidhja – Sopoti 1-1

Akansase 5’ / Fajcal 42’

Luzi 2008 – Naftëtari 1-0

Konate 29’

Dje

Adriatiku – Shiroka 0-3

Dibra 10’, Dulaj 72’, Tarek 80’

Valbona – Basania

(Nuk u luajt, Valbona është tërhequr nga kampionati)

Veleçiku – Gramshi 1-1

Zaraj 23’ / Mikael 87’

RENDITJA

TOTALI

Nr EKIPI        N    P    F    B    H    G+/G-

1 Luzi 2008     2    6    2    0    0    3-0

2 Sopoti        2    4    1    1    0    4-1

3 Besëlidhja    3    4    1    1    0    3-1

4 Erzeni        2    4    1    1    0    2-1

5 Veleçiku      2    4    1    1    0    2-1

6 Naftëtari     2    3    1    0    1    3-1

7 Shiroka      2    3    1    0    1    3-2

8 Gramshi       2    1    0    1    1    2-3

9 Tërbuni       2    1    0    0    1    0-3

10 Adriatiku    2    0    0    0    2    0-4

11 Basania      1    0    0    0    1    0-2

12 Valbona      1    0    0    0    1    0-3

 

Java 3/ 18 TETOR

Albanët – Veleçiku

Naftëtari – Adriatiku

Basania – Luzi 2008

Sopoti – Valbona

Erzeni – Besëlidhja

Gramshi – Tërbuni

 

A.DUSHKU / G.PEMA- PANORAMASPORT.AL