“Goli në Europë ka shije tjetër”, Bajrami nuk i frikësohet Vikingurit: Kemi ardhur për fitore, Vllaznia kualifikohet në turin tjetër

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 30, 2025 | 13:48

“Goli në Europë ka shije tjetër”, Bajrami nuk i frikësohet Vikingurit: Kemi ardhur për fitore, Vllaznia kualifikohet në turin tjetër

Melos Bajrami ishte nismëtari i përmbysjes së Vllaznisë ndaj Vikingur. Mbrojtësi u aktivizua në pjesën e dytë në takimin ndaj islandezëve dhe gjeti golin e barazimit në minutën e 67-të, që do t’u jepte kuqebluve një moral dhe ritëm tjetër më pas. Në prag të sfidës së nesërme të kthimit, ai ka dhënë një prononcim për mediat nga Rejkjaviku.

melos bajrami

Një ditë para ndeshjes Bajrami, si është atmosfera në kampin kuqeblu?

Po natyrisht atmosfera është shumë e mirë, kemi pasur një rrugëtim pak të lodhshëm, sot jemi këtu. Kemi një stërvitje, do të bëjmë më të mirën për tu përgatitur për ndeshjen e nesërme dhe shpresoj të kthehemi nga këtu me një rezultat sa më pozitiv.

Duket sikur Vllaznia e ka më të lehtë pas asaj fitore në Shkodër, është kështu apo ka një vlerësim maksimal?

Më e lehtë besoj që nuk është, pasi ajo fitore na ndihmon shumë për ndeshjen e kthimit, por në futboll nuk ka gjë të lehtë. Do ja lejmë ndeshjes, ne do të bëjmë maksimumin dhe besoj që gjithçka do të shkojë mirë.

Një rezultat 2-1 i ndeshjes së parë, sa ju jep besim, optimizëm, kurajo për kualifikimin?

Po me thënë të drejtën është një rezultat që na jep besim, por nuk të le të gabosh. Duhet të jesh i përqëndruar gjatë gjithë kohës në maksimum. Edhe nëse do të kishim humbur ndeshjen në Shkodër, këtu do të vinim prapë për fitore. Presim nesër edhe shohim.

Ku është përqëndruar trajneri Martini në këto ditë pasi ka studiuar shumë mirë edhe ndeshjen e parë me një kundërshtar shumë të vështirë?

Është fokusuar në çdo repart të ekipit, çdo repart është i rëndësishëm, nga portieri deri në sulm. Ka përgatitur çdo detaj të mundshëm dhe siç e ka përgatitur në Shkodër, do të shkojë mirë edhe këtu në Rejkjavik.

Do të sulmojë Vllaznia apo do të jetë më shumë në mbrojtje?

Këto gjëra i lihen fushës për ti parë dhe treguar, ne këtu nuk kemi ardhur për tu frikësuar dhe në fund besoj do të fitojë ekipi më i mirë.

A jeni ju koshientë që kjo është një ndeshje historike për Vllazninë sepse për herë të parë janë shanset reale që Vllaznia të shkojë në turin e tretë të Kupave të Europës?

Po është e vërtetë, nuk ka qenë më përpara. Është një shans shumë i mirë duke marrë parasysh edhe rezultatin që kishim në Shkodër. Tani ndeshja është nesër, jemi të gjithë të fokusuar, edhe djemtë e dinë rëndësinë e ndeshjes dhe do të japin maksimumin për të dalë fitimtarë.

Melos, një gol i shënuar në stadiumin “Loro Boriçi” në një ndeshje ndërkombëtare kaq të rëndësishme, padyshim një moment historik i karrierës suaj historike. Nuk kemi pasur rastin tju intervistojmë pas ndeshjes në Shkodër, si e ndjeni veten pasi me të vërtetë është një fillim i bukur?

Me thën të drejtën kam bërë gola edhe në kampionat, por ky në Europë la shije tjetër. Normalisht edhe duke ditur rëndësinë e ndeshjes. Duke bërë gol në Shkodër, para tifozëve dhe atyre që na mbështesin në çdo ndeshje, është një moment mjaft i mirë për mua dhe jam i lumtur që me atë gol ndihmova ekipin sadopak për të dhënë edhe një ritëm ndryshe për të rikthyer atë ndeshje.

Duket Vllaznia si favorite për ndeshjen e kthimit me besimplotë?

Favorite se di, 50 me 50 është ndeshja. Ne do të futemi për të dhënë maksimumin, çfarë të jetë e shkruar do të ndodhë. Ajo që iu premtoj tifozëve dhe gjithë Shkodrës është që Vllaznia do të futet vetëm për maksimumin.

Një gol tjetër i Bajramit në Rejkjavik do të ishte fantastik, pse jo edhe një gol kualifikues?

Shpresojmë, ju thash do të bëjmë maksimumin. Inshallah do ta kemi edhe një gol tjetër edhe besoj do të shkojë mirë pastaj.

Nga Kosova do të ketë shikueshmëri kjo ndeshje?

Normale do të ketë shumë që e përcjellin nga Kosova, sidomos familja ime, por ka dhe të tjerë që do e shohin me patjetër.

BRIKENA BISKU-PANORAMASPORT.AL