Gol, mbrojtje dhe grup: Kështu lindi Juventusi i Spaletit
Revolucionet lindin, ndryshojnë dhe marrin kuptimin e thellë të atij që i drejton. Te Juventusi ka ndodhur pikërisht kështu. Luçiano Spaleti është vënë në krye të një grupi që kërkon vazhdimisht atë vetëdije që të jep dimensionin e duhur: pas gjashtë muajsh, rruga është e qartë.

Pa mbrojtje nuk ka të ardhme. Bremer dhe shokët nuk bien më në goditjen e parë të kundërshtarëve, aq sa në gjashtë ndeshjet e fundit bardhezinjtë kanë pësuar vetëm një gol, pavarësisht Perin ose Di Gregorio. Arsyeja? Mund të bësh paraqitje të mirë edhe duke përdorur shpatën dhe jo penelin e artit, dhe duke harruar shpejt të gjitha ato gabime apo shpërqendrime që kanë kushtuar rëndë, si për shembull në “bërthamën e zjarrtë” të Stambollit.
Vetëdija – Juventusi i Champions League po vrapon dhe po përshpejton, duke marrë masat ndaj kujtdo që përpiqet ta ndjekë: nëse shihen rezultatet e pesë javëve nga 7 marsi e deri tani, Spaleti ka marrë 6 pikë më shumë se Komo dhe Roma së bashku, 3 më shumë se Napoli dhe plot 7 më shumë se Milan i Maks Alegrit. Luciano, në mbrëmjen e fitores 2-0 ndaj Bolonjës, mori përgjigjet më të rëndësishme, kur duhet kapur rasti, duhet kapur, dhe Lokateli me shokë e bënë këtë pa e ulur më ritmin edhe në lodhje. Është çështje vetëdije, po. Është çështje marrëdhënieje mes trajnerit dhe skuadrës që ka arritur nivelin më të lartë. Trajneri u beson lojtarëve, dhe lojtarët ndjekin në mënyrë të plotë udhëzimet e tij. Kur krijohet një harmoni e tillë, revolucioni ndryshon formë. Ky Juventus, në ndeshjet e fundit, alternon momente cilësie të madhe me një konkretizim që vjen nga ndjeshmëria ndaj rrezikut. Podiumi i kampionatit është shumë afër. Dhe në podium, bardhezinjtë janë ngjitur vetëm një herë që pas titullit të fituar nga Mauricio Sarri: hera e fundit ishte me Alegri në stol.
Harmonia – Spaleti po arrin një mesatare pikësh shumë të lartë. Dy pikë për ndeshje. Ecuria e tij nga 30 tetori deri më sot e vendos në vendin e dytë pas Interit dhe në të njëjtin nivel me Milanin. Një rezultat me peshë të madhe, sepse vjen nga një punë me rezultat fillimisht të pasigurt. Juventusi i Luçianos ka fytyrë, identitet dhe të ardhme: shpejtësia që po i jep fazës vendimtare të sezonit ndikon edhe në strategjitë e merkatos. Me fjalë të tjera në Continassa e dinë mirë që sa më shpejt të mbyllet çështja Champions, aq më shpejt mund të punohet për sezonin e ardhshëm. Administratori Damien Komoli ka theksuar atraktivitetin e klubit, me ose pa Europën që ka rëndësi, por është e qartë se magjia e Champions League ka gjithmonë një tërheqje më të madhe për lojtarët.
Ambiciet – Revolucioni i ish-trajnerit të kombëtares italiane po përgatitet për testin e San Siros, ku të dielën në mbrëmje do të përballet me Milanin e Allegrit: në lojë janë “lartësitë”. Spaleti, në këta gjashtë muaj, ka menduar si një trajner i Premier League. Si një menaxher i plotë. Një shembull është mënyra si u trajtuan rinovimet e lojtarëve kryesorë, në marrëveshje me klubin. Nisja pa pasiguri kontraktuale shmang rreziqe të mëdha. Në Continassa çdo detaj analizohet dhe ndahet bashkërisht, kështu mund të ndërtohet një rikthim i vërtetë. Numrat i japin thellësi asaj që ka ndodhur që nga 30 tetori. Numra jo domosdoshmërisht spektakolarë, dhe pikërisht për këtë edhe më të vlerësuar. Luçiano u beson lojtarëve të tij, dhe lojtarët e dinë se duke e ndjekur, arrijnë rezultate. Podiumi i kampionatit është bërë objektivi.
PANORAMASPORT.AL













