Gjykimi në Superiore, gabimet dëmtojnë Dinamon dhe Partizanin! VAR-i dështon në Durrës
Java e katërt e Kategorisë Superiore nuk ishte vetëm futboll, gola dhe emocione, por edhe një raund ku arbitrat ishin sërish në qendër të vëmendjes. Në pesë ndeshje të zhvilluara, sistemi VAR ndërhyri në disa raste vendimtare, por gjithsesi nuk munguan gabimet e gjyqtarëve në fushë, të cilët lanë pa ndëshkim situata të qarta. Në total, bilanci i moviolës tregon 4 deri në 6 gabime të rëndësishme, që kanë hapur diskutime të forta.

DINAMO – BYLISI 0-0
Golat: Nuk ka
GJYQTARË: K.Shahini, F.Lama, R.Mersinasi, VAR: O.Ferataj; AVAR: A.Koçi
Një sfidë e luftuar, por e mbushur me polemika. Në minutën e 47-të, Maliqi rrëzohet në zonë pas shtyrjes së qartë nga Përndreca, por kryesori Shahini, pas konsultimit me VAR-in, e konsideron ndërhyrje të rregullt. Pamjet tregojnë shtyrjen, ndaj vendimi shihet si një penallti e munguar për Dinamon. Momenti tjetër i nxehtë ndodhi në minutën e 67-të, kur Peralta godet me bërryl Ditën. Fillimisht akordohet vetëm faull, por VAR e korrigjon gabimin, duke i dhënë karton të kuq lojtarit të Bylisit.
Gabimi: Penalltia e munguar për Dinamon, dyshime për të kuqin.
EGNATIA – TIRANA 2 – 0
GOLAT: Buriç 28’, Albanese 48’
GJYQTARË: F. Lata, F. Kolleshi, M. Llukmani; VAR: A. Beqiraj/ AVAR: K. Cjapi
Kampionët në fuqi dominuan në fushë dhe në fund fitoi me meritë, por gjyqtari Lata la pas vetes një moment të diskutueshëm. Gruda, pasi shmangu portierin, rrëzohet në zonë. Lata nuk jep penallti, vendim i drejtë pasi kontakt nuk kishte, por lojtari i Egnatias duhej ndëshkuar për simulim. Kjo e verdhë mungoi. Pjesa tjetër e vendimeve ishte e saktë. Dy gola të anuluar për pozicion jashtë loje u verifikuan drejt nga VAR, ndërsa e kuqja e Markut ishte e pamohueshme.
Gabimi: Mungesa e të verdhës për simulim.
PARTIZANI–ELBASANI 0-1
GOLAT: Bunjaku 37’
Gjyqtarë: O. Yzeiraj, A. Koçiaj, N. Rrapaj; VAR: Juxhin Xhaja, AVAR: Ditmir Grimci.
Ndeshja që ndezi më shumë polemika këtë javë. Në minutën e 23-të, Loukili i Elbasanit ndërhyn ashpër ndaj Ismailit, por në vend që të ndëshkohej ai, kartoni i verdhë i shkon gabimisht lojtarit të Partizanit. Duke qenë se Loukili kishte marrë një të verdhë më parë, kjo do të sillte përjashtimin e tij. VAR nuk mund të ndërhynte, pasi nuk bëhej fjalë për karton të kuq direkt. Në pjesën e dytë, Bytyçi largohet me dy të verdhë për Partizanin, vendim i drejtë. Polemika rikthehet në fund kur Toma rrëzohet në zonë pas kontaktit me Mustën. Kontakti ekziston, por arbitri Yzeiraj nuk e konsideron penallti dhe as simulim. VAR nuk ndërhyri.
Gabime: Karton i kuq i munguar për Loukilin, plus një penallti e dyshimtë e paakorduar për Partizanin.
TEUTA-VLLAZNIA 1-1
GOLAT: Beshiraj 90+6’ / Mala 24’
Gjyqtarë: J. Xhaja, R. Avdo, G. Cenolli; VAR: Orlando Kuka; AVAR: Emanuela Rusta
Një ndeshje që u mbyll mes tensionit dhe dyshimeve. Gurishta merr dy të verdhë në harkun e 11 minutave, duke lënë Vllazninë me 10 lojtarë. Sipas moviolës, ndëshkimi i dytë ishte i nxituar dhe i shmangshëm. Kulmi i polemikave erdhi në minutën e 96-të, kur Teuta barazoi me Beshirajn. Pozicioni i Zhongos u verifikua për më shumë se 5 minuta nga VAR, por pa arritur të sqarohej plotësisht. Në fund, vendimi iu la anësorit dhe kryesorit(vendimi i fushës), që e konfirmuan golin.
Gabime: E kuqja e nxituar për Gurishtën dhe gol i pranuar mes dyshimeve.
VORA-FLAMURTARI 1-0
GOLI: Luiz Felipe 12′(11- m)
Gjyqtarë: E. Bylykbashi (Elbasan), R. Zajmi (Tiranë), D. Memelli (Elbasan) / VAR: S.Dyrmishi, E. Jorgji (Elbasan)
Në këtë takim, arbitrimi shkoi pa polemika. Penalltia e fituar nga Luiz Felipe u dha me të drejtë, ndërsa vendimi për “offside” në një rast të Flamurtarit ishte i saktë. VAR u tregua ndihmues dhe pa diskutime.
Gabime: Nuk ka
PANORAMASPORT.AL













