Gjoni: Federata nuk u interesua për Europianin
Ekipi kombëtar i boksit ka zhvilluar stër vitjen e fundit përpara nisjes drejt Sofjes në Bullgari, nga ku do të marrë pjesë në kampionatin europian për të rritur.
Stërvitja për trajnerin Zef Gjoni nuk është shumë e mirë, sepse nuk ka pasur mjaftueshëm kohë dhe është dashur të spostohet te palestra e vjetër si shkak i punimeve që po bëhen në stadiumin “Loro Boriçi”.
“Nuk jam shumë i kënaqur me kohën e grumbullimit sepse as federata e boksit dhe as presidenti Leqejza, i cili u largua, nuk kanë qenë të interesuar për ta vlerësuar këtë kampionat, si kualifikues për Botërorin. Vetëm dy presidentët e Vllaznisë, Flamur Hoxha dhe Gjergj Livadhi, na kanë mundësuar një fazë 10-ditore në Razëm, ku jemi stërvitur. 10 ditë të tjera, presidenti i ri i federatës Kalivopuli i mundësoi këtu në Shkodër. Këto janë kushtet tona, të shkosh me 20 ditë stërvitje në kampionat europian është e papranueshme, por nuk kemi çfarë të bëjmë. Stërvitja është e pamjaftueshme për boksierët, por gjithsesi e kanë marrë veten dhe shpresojmë të kemi rezultate të mira. Gjendja e sportistëve është e mirë, por duhet të kemi edhe pak fat te shorti sepse ndoshta të bie që ditën e parë me kampionin e botës”, tha Gjoni. Duke folur edhe për zgjedhjet e fundit në federatë, Gjoni shprehet se Leqejza iku në mënyrë të turpshme.
“Propozimi për Gjergj Leqejzën që të bëhet president i federatës, në fillim, ka qenë i imi. Erdhi me premtime të mëdha për të financuar për boksin, por ato premtime nuk i mbajti”. Sa i përket presidentit të ri Kalivopuli, Gjoni shprehet se ka bërë premtime të mëdha qoftë për boksierët, por edhe ekipin kombëtar dhe trajnerët. “Presidenti i ri ka ardhur me premtime të mëdha. Secili prej boksierëve që arrin të kualifikohet në Olimpiadën e Brazilit do të marrë një hyrje apartamenti dhuratë në Durrës. Ky është premtimi i parë. Po ashtu, boksierët kampionë dhe boksierët e ekipit kombëtar dhe trajnerët e kombëtares do t’i stimulojë financiarisht”, përfundoi Gjoni.













