Gjini-Bajrami, “muri” i pathyeshëm i Vllaznisë. Ekipi ndërtohet mbi sigurinë
Në një sezon ku qëndrueshmëria ka qenë çelësi i suksesit, dyshja e mbrojtjes së Vllaznia, Elmando Gjini dhe Melos Bajrami, po shndërrohen në një nga pikat më të forta të skuadrës shkodrane.

Me paraqitje të sigurta dhe një disiplinë taktike për t’u admiruar, ata po dëshmojnë javë pas jave se janë një garanci në prapavijë, duke fituar besimin e stafit dhe tifozëve. Harmonia mes Gjinit dhe Bajramit në qendër të mbrojtjes është bërë një armë e fortë për Vllazninë. Vendosja e saktë, leximi i lojës dhe ndërhyrjet vendimtare kanë bërë që kundërshtarët ta kenë gjithnjë e më të vështirë të depërtojnë në zonën e tyre.
Ky stabilitet ka reflektuar drejtpërdrejt në rezultatet e skuadrës, duke e kthyer mbrojtjen në një pikë referimi për gjithë ekipin. Kontributi i tyre bëhet edhe më i dukshëm kur shihet seria mbresëlënëse prej 7 ndeshjesh radhazi pa pësuar gol. Në këtë arritje, përveç dyshes Gjini-Bajrami, një rol kyç kanë luajtur edhe Erdenis Gurishta në krah dhe portieri Pohls, duke krijuar një repart difensiv solid dhe të kordinuar në çdo detaj.
Siguria që kjo katërshe i jep ekipit është një element thelbësor për filozofinë e trajnerit Martini. Me një mbrojtje kaq të organizuar, skuadra jo vetëm që minimizon rrezikun në prapavijë, por fiton edhe qetësinë e nevojshme për të ndërtuar lojën në fazën sulmuese. Nëse ky ritëm vazhdon, Gjini dhe Bajrami pritet të mbeten shtylla kryesore e Vllaznisë në rrugëtimin e saj këtë sezon. Performancat e tyre janë një sinjal i qartë se skuadra ka ndërtuar një identitet të fortë, ku mbrojtja është themeli mbi të cilin ngrihen ambiciet për sukses.
PANORAMASPORT.AL













