Garsia kërcënon Tiranën: Vijmë për 3 pikët, të luftojmë për çdo top

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 12, 2025 | 12:06

Garsia kërcënon Tiranën: Vijmë për 3 pikët, të luftojmë për çdo top

Flamurtari kërkon fitoren e parë në Superligë. Në Vlorë nuk e kanë shijuar ende trepikëshin. Pushimi i kampionatit i ka bërë mirë trajnerit Karlos Garsia.garsiaPas dy javëve të para të kampionatit ku kanë arritur të marrin vetëm një pikë, Flamurtari do të jetë nesër në Tiranë për të zhvilluar një tjetër ndeshje të rëndësishme në transfertë. Skuadra vlonjate është përqendruar maksimalisht gjatë stërvitjeve këtë javë, me fokus të veçantë në përmirësimin e mbrojtjes dhe finalizimin në sulm.

Stafi teknik ka punuar për të rritur efikasitetin para portës dhe për të shmangur gabimet që i kanë kushtuar pikë në ndeshjet e kaluara, sidomos duke mos administruar dot rezultatin. Trajneri Karlos Garsia ka provuar të gjithë përpara portës në stërvitjen e parafundit përpara supersfidës me Tiranën. Por natyrisht ka bërë “prova” edhe në mbrojtje. Trajneri spanjoll që duket se këtë ndeshje e ka dhe një “sfidë me veten”, ndaj mësohet se ka studiuar me kujdes kundërshtarin në ndeshjet që ka luajtur me Bylisin dhe Vorën.

TRAJNERI – Garsia është parë aktiv në çdo seancë, duke motivuar lojtarët dhe duke kërkuar përqendrim maksimal. Ndeshja e radhës shihet edhe si një test i rëndësishëm për të kthyer besimin nga drejtuesit e klubit, futbollistët dhe tifozët dhe për të nisur edhe rrugën e grumbullimit të pikëve dhe ngjitjen në renditje me qëllim arritjen e objektivave madhorë.

KËSHILLAT E SPANJOLLIT – Trajneri Karlos Garsia e ka bërë të qartë për futbollistët gjatë fjalimit përpara ndeshjes me Tiranën se objektivi i vetëm maksimumi. “Panorama Sport”, zbardh disa nga kërkesat dhe mesazhet e teknikut. Garsia ka kërkuar nga lojtarët që të zhvishen nga emocionet dhe të bëjnë kujdes pasi me Tiranën çdo gjë bën diferencën, ndaj do reagim të menjëhershëm. “Me Tiranën shkojmë të marrim maksimumin. Duhet të keni parasysh se në atë ndeshje çdo gjë bën diferencën. Duhet që të çlirohemi nga emocionet dhe të jemi agresivë. Kërkoj të luftojmë për çdo top dhe të mos i falim rastet para portës. Kemi cilësi, kemi dëshirë dhe lojtarët e rinj janë duke u ambientuar. Kujdes nga Tirana, duhet të luajmë vetëm për maksimumin”, është shprehur ndër të tjera Garsia para lojtarëve.

ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL