Gabia mbron Alegrin: Është fenomen, duam ta mbajmë gjatë te Milani

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 18, 2026 | 19:34

Gabia mbron Alegrin: Është fenomen, duam ta mbajmë gjatë te Milani

Mbrojtësi i Milanit, Mateo Gabia, ka dalë hapur në mbështetje të trajnerit Masimiliano Alegri, duke folur në emër të gjithë skuadrës dhe duke shprehur dëshirën që ai të qëndrojë për një kohë të gjatë në stolin kuqezi.

alegri

“Duhet ta ndjekim dhe të japim gjithçka 100%”, u shpreh mbrojtësi, i cili prej kohësh konsiderohet një lider në dhomat e zhveshjes, edhe pa mbajtur shiritin e kapitenit. Në momente delikate për ambientin kuqezi, është pikërisht ai që merr fjalën për të sqaruar situatën, sidomos për zërat e shumtë mbi të ardhmen e trajnerit. Gabia foli me tone të qarta, duke lënë të kuptohet se deklaratat e tij përfaqësojnë të gjithë grupin:

“Alegri është një fenomen, kështu mendojmë të gjithë brenda skuadrës. Ka një aftësi të jashtëzakonshme për të menaxhuar momentet, qofshin ato të mira apo të këqija. Ai e di gjithmonë se cilat ‘butona’ të shtypë. Pastaj na takon neve në fushë të zbatojmë kërkesat e tij, por këtë sezon ka qenë një figurë shumë e rëndësishme”. Mbrojtësi theksoi edhe harmoninë që ekziston në skuadër me trajnerin dhe stafin e tij: “I gjithë grupi është i lumtur. Jemi shumë mirë me të dhe me stafin e tij. Sa do të doja që të qëndrojë? Është dëshira e gjithë skuadrës, jo vetëm e imja. Po flas në emër të të gjithëve: Jemi shumë të lumtur me trajnerin dhe shpresojmë të qëndrojë me ne për një kohë shumë të gjatë”.

MOMENTI I VËSHTIRË DHE CHAMPIONSI

Më tej, Gabia u ndal te rëndësia e rezultateve dhe nevoja për përqendrim maksimal: “Tani gjëja më e rëndësishme janë rezultatet, sepse ato vendosin gjithçka. Duhet ta ndjekim dhe të japim maksimumin, pastaj gjithçka do të shkojë në drejtimin e duhur. Ne që punojmë çdo ditë me të e kuptojmë pse ka pasur një karrierë të tillë. Nuk është rastësi që një trajner fiton aq shumë sa ka fituar ai”.

Ai pranoi gjithashtu momentin e vështirë që po kalon skuadra: “Rënia e javëve të fundit ka ardhur nga një përzierje faktorësh. Duhet të qëndrojmë të kthjellët dhe të qetë, me forcën që kanë kampionët e mëdhenj – dhe kur them kampionë, përfshij edhe trajnerin. Duhet të kemi besim te puna që kemi bërë dhe po bëjmë”. Në fund, objektivi mbetet i qartë për Milanin: “Kualifikimi në Champions është një obsesion për të gjithë grupin. Sezoni i kaluar ishte shumë negativ dhe duhet të kujtojmë sa kemi vuajtur në Milanelo”.

PANORAMASPORT.AL