Furlani: Kemi gabuar te Milani, por Konseisao ka besimin tonë
Administratori i Milanit, Xhorxho Furlani, ka folur për sezonin aktual, por edhe për ndryshimet që i presin kuqezinjtë në të ardhmen. Ka folur për drejtorin e ri sportiv, por edhe për shumë tema të tjera në lidhje me gabimet që kanë bërë, duke mos arritur dot një kualifikim të mundshëm në Ligën e Kampioneve për sezonin e ardhshëm.
KONSEISAO- “Ai sapo erdhi te Milani ka fituar një trofe dhe mund të bëhet trajneri i parë pas Ançelotit që fiton 2 trofe në të njëjtin sezon. Jemi të përqendruar për ta mbyllur sa më mirë këtë sezon. Ai është duke punuar mirë dhe ka besimin tonë maksimal”.
DREJTORI- “Herën e fundit që më keni pyetur në lidhje me drejtorin sportiv, kam thënë se ishim në kërkim dhe duam të gjejmë personin e duhur. Sot përgjigjja është e njëjtë. Nuk kemi urgjencë dhe nuk do ta vendosim përpara fundit të sezonit. Do të sjellim një figurë të re dhe do të jetë personi i duhur”.
GABIMET- “Në një sezon të gjatë nuk ka vetëm një gabim, por shumë gjëra nuk kanë shkuar siç duhet. Nuk jam aspak i lumtur për mënyrën se si ka shkuar sezoni. Nuk do të shkojmë në Champions dhe objektivi është që të rikthehemi sa më shpejt të jetë e mundur”.
MERKATO– “Jemi duke punuar për vitin e ardhshëm. Edhe pse nuk kemi një drejtor sportiv, sigurisht që kemi nisur kontaktet dhe bisedimet. Merkaton e bën klubi dhe nuk jemi duke ndenjur duarkryq për këtë aspekt”.
PANORAMASPORT.AL













