“Ftoj ultrasit e Vorës”, Barjamaj ndez sfidën me Flamurtarin: Në Vlorë një fitore për mbijetesën
Skuadra e Vorës po i shkon fundit të përgatitjeve për një ndeshje sa të vështirë, aq edhe delikate në luftën e saj për mbijetesën. Këtë të shtunë e pret Flamurtari në stadiumin e Vlorës, skuadër kjo që nuk e dëshiron fundin e tabelës dhe është jetike kjo sfidë për ta, nga ku në 5 përballjet e fundit varet fati i një sezoni. Pra të dyja skuadrat të ngarkuara psikologjikisht janë në “luftë” për mbijetesë. Vorakët e kanë vlerësuar maksimalisht këtë përballje, pasi kanë të bëjnë me një rival direkt dhe çdo pikë e fituar ka vlerë të dyfishtë.

Mario Barjamaj që shpeshherë ka drejtuar edhe ekipin si kapiten skuadre, në arste kur kapiteni Xhuljo Tabaku nuk ka qenë në dispozicion të skuadrës, flet para kësaj sfide për “Panorama Sport”. Ku sipas tij, Vora është më e angazhuar se kurrë për këtë ndeshje dhe se në Vlorë shkohet vetëm për fitore, e cila është jetike për mbijetesën.
“Jemi duke u përgatitur mjaftueshëm, për të përballuar sa më mirë dhe me sukses këtë ndeshje, me objektivin e vetëm që ta fitojmë atë. Shfrytëzoj rastin që të ftoj edhe tifozët “Ultras Vora” që të vijnë sa më të shumtë në numër për ti mbështetur futbollistët tanë në këtë përballje” shprehet fillimisht, 27-vjeçari kryeqytetas, Mario Barjamaj, që mbart rolin e mesfushorit sulmues, duke i dhënë impuls të vazhdueshëm sulmit vorak. E duke vijuar më tej ai shprehet,
“Çdo ndeshje për ne është e rëndësishme, ku shpesh herë e kam thënë dhe më parë. Në këtë përballje ne vijmë nga një fitore tejet të rëndësishme, siç ishte ajo kundër Teutës, ndaj motivi dhe atmosfera është në nivelin e duhur. Çdo futbollist i joni, ka mundësinë të futet në lojë për të dhënë maksimumin dhe për të bërë çmos që kjo ndeshje të fitohet, por edhe nëse nuk fitojmë për ne nuk mbaron asgjë pasi kemi ende kohë për të qenë në objektivat tona të mbijetesës, sigurisht që një humbje na vështirëson shumë më shumë detyrimet tona për ta mbajtur skuadrën në elitë.
Ka ende lojë deri në fund të kampionatit dhe ne do të luftojmë në çdo ndeshje. Grupi është i plotë për këtë ndeshje. Atmosfera brenda skuadrës është e mirë dhe futbollistët tanë mezi po e presin këtë ndeshje”, ka përfunduar prononcimin e tij, zëvëndëskapiteni, Mario Barjamaj, që u bë pjesë e Vorës dy sezone më parë kur erdhi nga Laçi dhe këtë sezon ka zhvilluar 25 ndeshje me fanellën blu të Vorës.
ABDULLA DUSHKU-PANORAMASPORT.AL













