FORMACIONI/ Martini e ka ndarë mendjen, portieri gjerman e nis si titullar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 30, 2025 | 22:49

FORMACIONI/ Martini e ka ndarë mendjen, portieri gjerman e nis si titullar

Formacioni i Vllaznisë pritet të ketë ndryshime në ndeshjen e kthimit ndaj Vikingur në Islandë, duel i vlefshëm për turin e dytë të Conference League. Performanca e disa elementëve në ndeshjen e parë, por edhe rikthimi i të gjithë titullarëve, duket se gëzon shumë trajnerin Martini.

vllaznia

Shkodrani do të ketë mundësi zgjedhjeje të shumta dhe nga mënyra se si do të kërkojë ta interpretojë lojën, do të vendosë edhe titullarët dhe formacionin. Gjithçka mund të nisë me ndryshime nga porta, ku në ditët e fundit, në proceset stërvitore është parë që si protagonist është preferuar Leon Pohls. Gjermani i ardhur së fundmi te Vllaznia mund të lërë në stol Jukajn për duelin e kthimit.

Një emër potencial që mund ta nisë nga minuta e parë ndeshjen në Islandë, është Melos Bajrami. Mbrojtësi nga Kosova u hodh në fushë në pjesën e dytë në 90 minutat e para të zhvilluara në Shkodër, ku jo vetëm shënoi golin e barazimit, por dha edhe një siguri në prapavijë. duke u imponuar me shtatlartësinë e tij edhe ndaj kundërshtarëve nordikë. Nëse mëngjërashi e nis nga minuta e parë, nga mbrojtja me 3 largohet Gurishta. 30-vjeçari do të kthehet në pozicionin e tij natyral, atë të krahut të djathtë. Në këtë mënyrë, futbollisti që do të përfundonte në stol për kuqeblutë, do të ishte Arsid Kruja.

Por, jo vetëm në mbrojtje priten ndryshime, pasi edhe mesfusha do ketë ndonjë modifikim. Performanca e Tafilit në pjesën e dytë ndaj Vikingur duket se ka bindur. Dhe 20-vjeçari mund të jetë kandidat kryesor për ta nisur ndeshjen nga minuta e parë në Islandë, ku pritet të ketë edhe përkrahjen e Krymit dhe Malës dhe, pavarësisht kthimit të Qatos nga dëmtimi, duket shumë e vështirë që kuçovari ta nisë nga fillimi duelin e kthimit. I vetmi repart që duket se nuk do preket është sulmi, me dyshen Balaj-Bismark, që do të prezantohen sërish si titullarë ndaj Vikingur.

PANORAMASPORT.AL