Formacioni i Tiranës për Klasiken, një rebus më vete/ Bekaj dhe Xhixha, të vetmit me vend të sigurt

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 26, 2026 | 21:14

Formacioni i Tiranës për Klasiken, një rebus më vete/ Bekaj dhe Xhixha, të vetmit me vend të sigurt

Pak ditë para përballjes me Vllaznia, formacioni i Tiranës mbetet një enigmë e vërtetë. Rikthimi i Orges Shehi ka shtuar kuriozitetin rreth zgjedhjeve që do të bëjë tekniku për ndeshjen e parë të kësaj faze të re. Gjatë këtyre ditëve, trajneri ka punuar intensivisht për të njohur nga afër gjendjen e skuadrës, për të testuar alternativa dhe për të parë reagimin e lojtarëve në skema të ndryshme.

tirana

Ndryshime priten në të tre repartet. Në mbrojtje mund të ketë lëvizje për të rritur sigurinë dhe përqendrimin, në mesfushë për të fituar më shumë balancë dhe kontroll loje, ndërsa në sulm synohet më tepër efikasitet. Megjithatë, Shehi e ka mbajtur të fshehtë 11-shen titullare, duke mos dhënë sinjale të qarta gjatë seancave stërvitore. Kjo qasje rrit konkurrencën brenda grupit, por edhe misterin për kundërshtarin. Dy emra duken të padiskutueshëm, Bekaj dhe Xhixha.

Ata konsiderohen si pikat më të sigurta të formacionit dhe pritet të jenë titullarë në klasike. Pjesa tjetër e skuadrës mbetet në balotazh, me vendimet që do të merren vetëm në orët e fundit. Në një ndeshje me peshë të tillë, çdo detaj ka rëndësi. Formacioni i Tiranës është ende një rebus, por një gjë është e qartë, zgjedhjet e Shehit do të japin sinjalin e parë të drejtimit që do të marrë skuadra në vazhdim.

PANORAMASPORT.AL