Formacioni fitues nuk ndryshon/ Bordin sërish me 4-4-2, rikthehet Dembeleja

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 17, 2025 | 23:38

Formacioni fitues nuk ndryshon/ Bordin sërish me 4-4-2, rikthehet Dembeleja

Tirana do të zbresë të shtunën në “Air Albania” përballë Teutës për vazhdimësinë pas derbit të madh të kryeqytetit. Bardheblutë e Roberto Bordin, të ndodhur në fundin e tabelës, kërkojnë një fitore që do të vlente shumë për moralin, për rikthimin në garë dhe për të ndezur shpresat te tifozët e shumtë.

Tirana

Një sukses pas triumfit në derbi nuk ka vetëm vlerën e tre pikëve, por shërben edhe si shtysë psikologjike për një skuadër që ende nuk ka gjetur ekuilibrat. Trajneri italian ka vendosur të bëjë disa ndryshime të rëndësishme në formacion, duke u kthyer te skema klasike 4-4-2, siç luajti edhe kundër Partizanit. Lëvizjet e tij lidhen drejtpërdrejt me mungesën e Alfred Mensah, i cili ka qenë një nga pikat më të dobëta të Tiranës në fazën ofensive

PRAPAVIJA – Në portë pritet të nisë Tafas. Katërshja e mbrojtjes do të ketë Haxhiun në të djathtë, Verën në të majtë, ndërsa në qendër do të aktivizohen Valerianos dhe një mes Lleshit ose Dembelesë. Në stol mbetet Marku, si alternativë për këtë repart.

Në mesfushë, Bordin ka menduar për një balancë mes përvojës dhe energjisë. Dyshen qendrore mund ta formojnë Soleri dhe Vogli, ndërsa Zhunior, Rafael dhe Meta (që vjen nga një dëmtim) mbeten alternativa të vlefshme. Në krahë do të vendosen Tabeku në të djathtë dhe Fernandez në të majtë, të cilët kanë detyrën të furnizojnë repartin ofensiv me topa.

TIRANA

SURPRIZA E MADHE – Trajneri i bardhebluve ka zgjedhur sërish të besojë te Falaje, i cili bëri shumë mirë si ndaj Partizanit dhe në derbi ku shënoi golin e avantazhit. Përkrah tij do të aktivizohet Patsatsia, që do të ketë rolin e sulmuesit të dytë, duke formuar kështu një dyshe të re në repartin e avancuar.

OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL