FORMACIONI/ Ballshiotët kërkojnë kthesën, i janë bërë makth Partizanit
Bylisi ka mbyllur dje përgatitjet për ndeshjen e sotme ndaj Partizanit, më 15:30, në “Adush Muçaj”. Kjo sfidë i gjen ballshiotët në vendin e nëntë në renditje, në një rrezik të madh për rënien në Kategorinë e Parë.

Humbja me Elbasanin në javën e shkuar, i ka krijuar ekipit një situatë shumë të komplikuar, teksa tashmë gjen përpara Partizanin, që nga ana e vet kërkon me të patjetër pjesëmarrjen në katërshe.
Kjo i gjen të dyja skuadrat në “fije të perit” sa u përket objektivave, çka përbën me shumë interes dhe kërshëri nga tifozët dhe opninioni sportiv. Në Ballsh kanë qenë të grumbulluar në këto ditë të fundit, me trajnerin Mezani, që ka kërkuar të punojë sa më shumë psikologjikisht për ta ringritur skuadrën.
BETEJAT DIREKTE – Sa i përket bilancit të këtij viti, Bylisi është në avantazh ndaj Partizanit. Në tri përballje që janë zhvilluar deri më tani, një sfidë është mbyllur me fitoren e Partizanit dhe dy të tjera më triumfin e Bylisit. Kjo e fundit dhe Vllaznia janë skuadrat e vetme që kanë arritur ta mposhtin Partizanin dy herë deri më tani. Gjithashtu, ndeshja e vetme që Partizani e ka humbur me përmbysje është ajo ndaj ballshiotëve, të cilët, në një moment po humbnin 2-0, por më pas kthyen gjithçka për të vulosur një triumf 2-3.
FORMACIONI – Në Ballsh, përpiqen gjithnjë të jenë të mbyllur, sa i përket formacionit dhe planit për të kuqtë. Lajmi i mirë është se nuk kanë asnjë lojtar të pezulluar, teksa edhe me dëmtimet situata është në rregull dhe lojtarët janë të gatshëm. Nisur nga alternativat jo të shumta, Mezani nuk pritet të bëjë ndryshime të mëdha për 11-shen.

PANORAMASPORT.AL













