Flamurtari nuk ndalet, likuidon edhe Valbonën. Agostineli: Motivimi i ulët, e prisja pas fitores me Besën
Flamurtari nuk ndalet në hapin drejt Superiores. Të besuarit e Agostinelit mposhtën Valbonën në Vlorë me rezultatin 2-0. Golat e Ememe dhe Oshafit në pjesën e parë dhe në fund të ndeshjes i dhanë 3 pikët vlonjatëve që shpresojnë nga një gabim i Vorës për të marrë kreun. Pas një mungesë të gjatë për shkak të dëmtimit, në portë u rikthye, Stivi Frashëri. “Sefte” e bëri edhe Bruno Telushi.

PJESA E PARË – Flamurtari e nis në sulm ndeshjen, ndërsa Valbona ishte krejtësisht e dorëzuar dhe pa “busull” që në fillim. Shifrat do të zhbllokoheshin shumë shpejt, në minutën e nëntë. Është Ememe që brenda zonës me një lëvizje të bukur nuk e ka aspak të lehtë të mposhtë portierin Hoxha. Vlonjatët nuk ndalen, por kundërsulmojnë. Ahmetaj-Shkurtaj kombinohen mes tyre, por sulmuesi nuk përfiton dot nga një mundësi e mirë duke qenë shumë pranë portës. Nga ana e miqve, Laval, Lala dhe Uesli nuk kanë saktësinë e duhur në ndërtimin e aksioneve. Një gjuajtje e Lalës është e lehtë dhe nuk vendos aspak në vështirësi Frashërin. Një tjetër mundësi e mirë për Flamurtarin në minutat e fundit të pjesës së parë. Sulmuesi Shkurtaj gjen të lirë Ememen, që rrezikon portën e Valbonës por grushton Hoxha. Pjesa e parë do të mbyllej me rezultatin e ngushtë 1-0 për vendasit.
PJESA E DYTË– Agostineli do t’i bënte ndryshimet në minutën e 57-të, teksa Shkurtaj do t’ia linte vendin Oshafit, ndërsa Telushi, Diavarasë. Vlonjatët vijojnë të diktojnë gjithçka në fushë. Një gjuajtje e Ahmetajt përfundon mbi tra. Pak minuta më vonë, edhe Batha prek traversën. Tenton kapiteni Pjeshka që të krosoj drejt portës së Hoxhës, por rreziku largohet nga Doçi. Largohet edhe Ahmetaj për t’i lënë vendin Kobianit. Ky i fundit i sapofutur në lojë tenton portën, por Doçi bën detyrën. Pasi kishte përfunduar koha e rregullt, në minutat shtesë, Kobian kroson një top në zonë dhe rrëzohet. Mbrojtësit e Valbonës nuk e arrijnë dot dhe përfiton Oshafi që në lëvizje e sipër brenda zonës e çon topin në rrjetë, 2-0. Deri në fund nuk do të kishte më histori.
FLAMURTARI – VALBONA 2-0
GOLAT: Ememe 9’, Oshafi 90+3’
FLAMURTARI: Frashëri, Telushi (Diavara 57’), Atanda, Janku, Hasa (Beqja 66’), Batha, Ahmetaj (Kobian 67’), Pjeshka, Trashi (Allmuça 76’), Ememe, Shkurtaj (Oshafi 57’); (Në dispozicion: Kaloshi, Kacbufi, Murataj, Marku, Selimi). Trajner: Andrea Agostineli
VALBONA: Hoxha, Doçi (Mateli 90’), Mashi, Lamçe, Aluku, Llanaj, Uesli (Vidrica 90’), Krasniqi (Rosaj 46’), Lala (Taka 83’), Zeqiraj, Laval; (Në dispozicion: Domit, Artur, Kamilo, Farruku, Xhabafti). Trajner: Emiljano Gega
KARTONË TË VERDHË: Pjeshka 49’/Doçi 37’, Mashi 39’, Aluku 85’, Rosaj 86’
GJYQTARË: A.Beqiraj (Tiranë), A.Topi (Fier), E.Gjoni (Elbasan)
DELEGAT: Armando Mandro (Tiranë)
VËZHGUES: Idriz Gashi (Durrës)
Trajneri i Flamurtarit

Agostineli: Motivimi i ulët, e prisja pas fitores me Besën
Trajnerin e Flamurtarit, Andrea Agostinelin e kënaq fitorja. Por italiani ka rezerva për lojën e skuadrës. Për “Panorama Sport”, ai thotë: “Një ndeshje shumë e rëndësishme. Nuk luajtëm aq mirë sa në ndeshjet e tjera. Por e prisja, pasi motivimi pas asaj sfide me Besën pritej që të ishte më pak. Ekipi duhet që ta kuptojë që tri pikët janë të rëndësishme me çdo ekip. Kryesorja është që e kuptuan që duhet të luajnë futboll me të gjitha ekipet. Tani kemi Kukësin, është një transfertë e vështirë. Lojtarët e mi duhet që ta kuptojnë që nuk e kemi fituar ende kampionatin. Si zakonisht të gjitha ekipet do të na bëjnë luftën, sepse ne jemi Flamurtari. Megjithatë dihet që Kukësi kërkon të shpëtojë për të qëndruar në këtë kategori. Nëse shkojmë të bëjmë një betejë si edhe ata, edhe mund të fitojmë. Ndryshe do të kemi vështirësi”, përfundon Agostineli.
PIKANTET
Mungon Idrizi, tifozët në “majë” të murit rrethues
Mungonte administratori Sinan Idrizi. Ai zëvendësohej në tribunë nga djali i tij Ensari. Ndërkaq mungonin përfaqësues të klubit të Valbonës. Ja pikantet e ndeshjes nga “Panorama Sport”.
* Rreth 1000 tifozë ndoqën ndeshjen. Vihej re prezenca e moshave të ndryshme, por edhe e grave. Grupimi i ultrasve “Flota Kuqezi” ka qenë aktiv gjatë gjithë ndeshjes, duke brohoritur në kor.
* Surprizë duket se ishin edhe vajzat e volejbollit të Flamurtarit. Të veshura me fanellat e kuqe, ato kishin një vend të veçantë në tribunë.
* Trajneri i portierëve Luan Birçe preferoi që këtë ndeshje ta ndjekë nga tribuna dhe jo nga pankina. Në stol zëvendësohej nga përgatitësi tjetër i portierëve, Erion Dinaj.
* Pavarësisht se në stadium kishte vende, madje edhe tribuna falas, kishte edhe tifozë që e shijuan ndeshjen në “majë” të murit rrethues.
* Trajneri Andrea Agostineli me “ethe” gjatë gjithë ndeshjes. Por i qetë nuk ishte as Emiljano Gega. Të dy teknikën kanë qenë në këmbë gjatë gjithë 90 minutave.
* Shumë aktivë ishin gjatë ndeshjes edhe dy zëvendëstrajnerët e Flamurtarit Andi Ribaj dhe Lejdi Liçaj me udhëzime ndaj ekipit.
* Në fund të ndeshjes në Vlorë shpërtheu festa. Futbollistët u përshëndetën përzemërsisht me tifozët. Ndërsa lojtarët e Valbonës u futën kokulur në tunel. Tepër i mërzitur edhe trajneri Emiljano Gega që u largua nga stadiumi direkt pas ndeshjes dhe nuk preferoi të fliste për mediat.
ERMAL SIKA- PANORAMASPORT.AL













