Flamurtari i elitës/ Nga rinovimi i Trashit te trajneri i ri, Pollozhani takon ish-in e Partizanit
Flamurtari i sezonit të ri në Superiore nis nga rinovimi i mbrojtësit me eksperiencë dhe me trofe, Lorenc Trashi. Vlonjatët kanë filluar orët e fundit lëvizjet dhe ka ardhur firma e parë. Kuqezinjtë kanë arritur akordin për të mbajtur edhe një vit në Vlorë ish-kapitenin e Partizanit, që sezonin e shkuar dha kontributin e tij për rikthimin e Flamurtarit në Kategorinë Superiore, pas një mungese 5-vjeçare.

Duke qenë se sezonin që sapo u mbyll, 33- vjeçari nga Gramshi ishte një ndër shtyllat kryesore të skuadrës, drejtuesit e klubit kanë vendosur që të rinovojnë me ish-mbrojtësin e Kombëtares. Ky vendim është konfirmuar për “Panorama Sport” nga burime pranë klubit. Por, ishte edhe vetë djali i presidentit Sinan Idrizi, Ensari, që ka publikuar një foto me Trashin dhe ku shkruan: “+1”.
Klubi beson tek eksperienca e Lorenc Trashit, ndaj ka menduar që ta nis fillimisht me rinovimin e mbrojtësit. Edhe pse e ka nisur te Gramshi në vitin 2013 dhe një vit më pas u transferua te Lushnja, mbrojtësi ka njohur një karrierë gjithnjë në rritje. Për 6 vite, nga sezoni 2014-2020, Trashi ishte pjesë e Partizani ku ka mbajtur edhe shiritin e kapitenit. Më pas provoi dy aventura jashtë vendit, tek Qadsia SC dhe te Ballkani. Nga Kosova, Trashi u transferua në Vlorë ku tashmë do të vijojë që edhe për një vit tjetër të luajë te Flamurtari, duke u rikthyer si klubi, por edhe ai vetë si futbollist në elitën e futbollit shqiptar.
TRAJNERI I RI
Trajneri i ri i Flamurtarit parashikohet të zgjidhet deri më 15 qershor. Por gjasat janë që orët në vijim të sjellin zhvillime të rëndësishme në këtë drejtim. Java e re mund të na mësojë me emrin e “timonierit” të ri të Flamurtarit. “Panorama Sport”, zbulon se orët e fundit, drejtori i klubit Artim Pollozhani ka takuar trajnerin Zoran Zekiç. Me kroatin është diskutuar për një bashkëpunim të mundshëm, por ka një problem. Zekiç duhet të mbyll më parë aventurën te Sarajeva, që po përgatitet për Ligën e Konferencës. Bisedimet po vijojnë edhe me ish-trajnerin e Vllaznisë, Qatip Osmani.

Lista është shumë e gjatë. Shpëtim Duro, Gentjan Mezani dhe Sedat Pajaziti janë gjithashtu kandidatë. Por edhe italianët Kristin Broki e Masimo Odo vijojnë të lakohen në klub, por më shumë si sugjerime. Megjithatë, nuk përjashtohet mundësia e ndonjë surprize, me ndonjë kandidat tjetër jashtë vendit, sidomos përtej Adriatikut, nga Italia.
ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL













