“Flamurtari favorit në Ballsh, tani shihet fati”, Memushi: Tradita flet për vlonjatët, tifozët të…
Eqerem Memushi e sheh Flamurtarin qartësisht favorit në përballjen direkte ndaj Bylisit, në sfidën që do të luhet në Ballsh dhe që konsiderohet vendimtare për mbijetesën. Në një intervistë për “Panorama Sport”, ish-trajneri vlonjat thekson se kuqezinjtë kanë në favor jo vetëm kalendarin, por edhe traditën ndaj mallakastriotëve, duke e konsideruar këtë një avantazh të madh në këtë moment delikat të sezonit. Sipas Memushit, Flamurtari është në një pozicion ku gjithçka varet nga vetë skuadra:

“Ne arritëm një fitore shumë të rëndësishme ndaj Vllaznisë në Vlorë, por më pas morëm një goditje që nuk e prisnim ndaj Elbasanit. Megjithatë, në këto momente që ndodhemi dhe me ndeshjen direkte që kemi të shtunën në Ballsh, Flamurtari i ka vetë fatet e tij në dorë. Përballë Bylisit kemi një avantazh shumë të madh… traditën.
Nuk kemi humbur asnjë ndeshje ndaj tyre këtë sezon, kemi dy fitore dhe një barazim. Kjo është diçka që duhet ta shfrytëzojmë maksimalisht”, shprehet Memushi. Ish-trajneri nënvizon gjithashtu se kalendari i tre javëve të ardhshme është një mundësi e artë për kuqezinjtë, pasi përballen me rivalë direkt në luftën për mbijetesë: “Kemi një kalendar shumë të favorshëm. Në këto tri javë luajmë vetëm me kundërshtarë direkt dhe këto janë ndeshje ku duhet të marrim patjetër pikë, për të siguruar qëndrimin në Superiore”.
ZHGËNJIMI PËR ELBASANIN DHE KRITIKAT PËR MBROJTJEN
Duke analizuar ndeshjen e fundit ndaj Elbasanit, Memushi pranon se priste më shumë nga skuadra dhe se një barazim do të ishte rezultat i pranueshëm në ato kushte. “Vinim nga një moment i mirë, me rezultate pozitive dhe prisja vazhdimësi. Do të doja një skuadër më pragmatiste, që të luftonte edhe për një barazim 0-0.
Edhe një pikë do të na bënte shumë punë, do të na jepte moral dhe do të na mbante më lart në renditje. Më vjen keq për mënyrën se si pësojmë golat, pasi kemi mungesë përqendrimi në mbrojtje dhe kjo po na penalizon”, u shpreh Memushi. Ai thekson se pikërisht këto gabime duhet të korrigjohen urgjentisht përpara sfidave vendimtare që e presin Flamurtarin.
THIRRJE PËR TIFOZËT: MBËSHTETJE, POR PA INCIDENTE
Në fund, Ish-trajneri i dhe lojtari i skuadrës vlonjate, Eqerem Memushi, ka edhe një mesazh të drejtpërdrejtë për tifozët vlonjatë, të cilët i falënderon për mbështetjen e vazhdueshme, por njëkohësisht u kërkon korrektësi maksimale. “Dua të bëj një falënderim të madh për të gjithë tifozët që e kanë mbështetur skuadrën, siç u pa edhe në ndeshjen me Elbasanin. Në këtë situatë, ekipi ka më shumë nevojë se kurrë për përkrahje.
Ata duan që Flamurtari të qëndrojë në Kategorinë Superiore edhe sezonin tjetër. Por u bëj një thirrje si vëlla, si prind, si koleg: Të tregojnë korrektësi dhe të shmangin çdo incident. Vetëm kështu e ndihmojmë skuadrën, përndryshe e dëmtojmë”, përfundoi Memushi për “Panorama Sport”. Me një kalendar në dukje të favorshëm dhe me përballje direkte në horizont, Flamurtari ndodhet përpara një prove vendimtare, ku çdo pikë mund të bëjë diferencën mes mbijetesës dhe rënies nga elita.
ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL













