Flamurtari, Agostineli paralajmëron ekipin para Valbonës! Mateli, i bindur: Nuk dalim pa pikë nga Vlora

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 15, 2025 | 10:32

Flamurtari, Agostineli paralajmëron ekipin para Valbonës! Mateli, i bindur: Nuk dalim pa pikë nga Vlora

Flamurtari ndodhet në rrugën e duhur për t’i dhënë fund pritjes për ngjitjen në elitën e futbollit shqiptar. GFDHPër ta finalizuar këtë mision, vlonjatët duhet të përballojnë edhe 11 ndeshjet e mbetura. Trajneri Andrea Agostineli i di fare mirë vështirësitë e fazës së tretë. Nuk ka mbaruar asgjë sa i përket objektivit dhe duhet përqendrim maksimal. Për “Panorama Sport”, italiani theksoi se sot pret një takim të vështirë, pasi Valbona do ta nisë në mbrojtje.

“Jemi gati për startin e fazës së tretë dhe kemi angazhim maksimal. Një fazë që vendos gjithçka dhe duhet të jemi gati ashtu sikundër kemi qenë edhe deri më tani. Kundër Valbonës e shikoj si një takim ku ndoshta do të hasim edhe vështirësi, pasi kundërshtari do të luajë në mbrojtje, por ne duhet të bëjmë llogaritë tona. Skuadra është në këtë pozicion dhe ne duhet të arrijmë objektivin që kemi. Kalendarin e fazës së tretë e shikoj normal. Jemi ndeshur me të gjitha skuadrat dhe kemi 16 fitore nga 22 ndeshje në total. Duhet që të luajmë sikundër kemi bërë deri më tani”, shprehet fillimisht Agostineli.

SITUATA – Trajneri Andrea Agostineli thekson se në dy përballje e kanë mundur Valbonën, por kujton se në transfertë suksesi erdhi me vështirësi, në minutën e fundit. Duke iu referuar situatës në skuadrën e tij, trajneri pohon se ka entuziazëm. “Në vijim të kampionatit nuk ka asnjë ndeshje të lehtë. Me Valbonën në transfertë fituam në minutën e fundit, ndërsa në Vlorë e mposhtëm 2-0. Nuk ka asgjë të lehtë. Valbona është një skuadër që lufton për të qëndruar në Kategorinë e Parë dhe natyrisht pres të luajë kryesisht në mbrojtje. Skuadra ka entuziazëm dhe duhet që atë ta vendosim në fushë për të shkuar më qetësi te goli”, vijon trajneri italian.

OBJEKTIVI – Për Andrea Agostinelin ndeshjet duhet të merren me radhë për të arritur tek objektivi madhor. “Futbollistëve i kemi thënë se nuk duhet të mendojmë për asgjë, referuar renditjes dhe objektivit, por të mendojmë ndeshje pas ndeshje. Aktualisht grupi është në gjendja optimale. Kemi vetëm dy mungesa, por kushdo që zbret në fushë jep patjetër maksimumin”, përfundon Agostineli. ERMAL SIKA

Në debutimin e saj në Kategorinë e Parë, Valbona ka dhuruar ndeshje të bukura dhe me një tifozëri të kulturuar. Në stadiumin “Vëllezërit Gega”, të bie në sy tabela: “Stop fjalëve ofenduese dhe sharjeve”.

Këto të fundit ndodhin rëndom në shumë stadiume, madje edhe të qyteteve të mëdha. Në Tropojë mbizotëron kultura sportive dhe duartrokitet kundërshtari, kur luan më mirë se ekipi vendës. Kështu ndodhi edhe në ndeshjen e fundit me Lushnjën, ku tifozët edhe pse skuadra e tyre humbi takimin, me mjaft qytetari e duartrokitën skuadrën verdhejeshile që dhuroi spektakël golash. Por ky stadium, për Valbonën është bërë si makth, ku pas fitores 1-0 me Erzenin, nuk kanë mundur të marrin asnjë trepikësh tjetër. Në disa raste Valbona është ndëshkuar në fund të takimit, siç ndodhi edhe në fazën e dytë me Flamurtarin, me të cilin sot në Vlorë, ora 13:30 nisin fazën e tretë. Humbja përballë vlonjatëve në Tropojë erdhi në kohën shtesë prej 7 minutash. Gjithsesi, Valbona ka treguar se në transferta është ekip më i fortë se në shtëpisë, ku ka fituar edhe më shumë pikë. Këtë gjë tropojanët do ta tentojnë edhe sot në Vlorë. Lidhur me këtë takim, Arens Mateli, futbollisti kryeqytetasi i ardhur gjatë merkatos së dimrit pas një eksperience 4-vjeçare në Superligën e Kosovës, për “Panorama Sport” u shpreh: “Ne do të shkojmë në Vlorë si të barabartë dhe do të kërkojmë pikë. Skuadra jonë, në të shumtën e rasteve nuk ka pasur fatin me vete. Valbona ka zhvilluar ndeshje të bukura, por që nuk është kurorëzuar me pikët, që i ka mjaft të domosdoshme. Kundër Flamurtarit do të japim maksimumin dhe jam optimist se nuk do dalim nga Vlora pa pikë”. ABDULLA DUSHKU

PANORAMASPORT.AL