Fitorja në Tropojë nuk mjafton, Besa e elitës kalon nga faza “play off”. Trajneri Çela mbetet pa fjalë
Valbona i dha lamtumirën Kategorisë së Parë me një humbje në shtëpi, ndërsa Besa, edhe pse fitoi në shifrat 3-1 në Tropojë, fatin për ngjitjen në Superiore duhet ta kërkojë përmes fazës “play off”. Kavajasit udhëtuan drejt Tropojës me veshët nga Vora, pasi fati i ngjitjes në elitë varej se çfarë do të ndodhte me Flamurtarin ndaj kampionëve të rinj të Kategorisë së Parë.
Besa mori fitoren e 10-të në fazën e tretë, por kjo ecuri nuk mjaftoi për të siguruar biletën direkte për në Superiore, pasi u është dashur të paguajnë gabimet e rënda që kanë bërë në të shkuarën. Thjesht të mos kishin lënë 5 pikë me Erzenin e vendit të fundit, sot mund të flitej për Besën kampione në Kategorinë e Parë, ajo që ta kërkojë fatin me ndeshje shtesë. Pjesa e parë ka qenë e ekuilibruar, ku trajneri Emiljano Çela kishte preferuar që në këtë transfertë të bënte një rotacion në formacion, duke lënë në stol disa titullarë. Pjesa e parë u mbyll pa fitues në Tropojë, ku dihet që vendësit prej javësh kanë mbetur me 12 futbollistë, kështu që këtë ndeshje u dhanë fund vuajtjeve dhe sakrificave.
Pjesa e dytë ishte më e bukur dhe me ritëm më të lartë, kjo edhe për meritë të kavajasve, që bënë detyrat e tyre, duke mos e pasur më mendjen nga Vora, ku dukej qartë se nuk do të merrnin asnjë “dhuratë”. Në minutën e 54-të, Migone zhbllokon rezultatin dhe 1-0 për Besën. Në të 68-tën, ishte radha e Grecës për të dyfishuar për verdhezinjtë. Ndërsa në të 75-tën, Nonato shënon të tretin për kavajasit. Në minutën e 77-të tropojanët shënojnë golin e nderit me Vidricën, që shënoi nga pika e bardhë e penalltisë. Dy minuta më pas, Nonato pati mundësi për të shënuar golin e katërt, por braziliani gaboi nga pika e bardhë. Me këtë trepikësh Besa e mbylli sezonin e rregullt në vendin e tretë me 74 pikë, dy më pak se Vora e vendit të parë dhe 1 pikë larg Flamurtarit që u rendit i dyti.
Valbona-Besa 1-3
Golat: Vidrica 77’ (11-m) / Migone 54’, Greca 68’, Nonato 75’
Valbona: Domit, Lala, Doçi, Artur, Rosaj, Mateli, Uesli, Kaloshi, Zeqiraj, Balla, Vidrica. (Në dispozicion: Llanaj) Trajner: Oltijon Kërnaja
Besa: Mehidri, Perja (Nonato 22’), Kapo, Nurja, Kruz, Gjinaj (Migone 46), Doudu, Razak, Spahiu, Dabo (Oliveira 52’), Greca. (Në dispozicion: Ahmetaj, Abdulai, Frashëri, Goxha) Trajner: Emiljano Çela
Kartonë i verdhë: Vidrica 64’
Gjyqtarë: O. Yzeiraj(Patos), Xh. Rroshi(Divjakë),I.Cani (Tiranë) Delegat: Brigen Pjetrushi (Lezhë)
Vëzhgues: Pajtim Lapi (Shkodër)
Çela mbetet pa fjalë
Para transfertës së Tropojës, trajneri Emiljano Çela deklaroi se Besa ishte përgatitur për të dyja variantet, sa i përket ngjitjes në elitë. Por, varianti fatlum, që ka të bëjë me ngjitjen direkte nuk u realizua dje, kështu që shpresat mbeten te “play off”. Ajo çfarë prodhoi kjo javë, ku Flamurtari arriti të fitojë në Vorë dhe u ngjit direkt, e ka lënë pa fjalë Çelën, pasi pas suksesit në Tropojë, për “Panorama Sport” deklaroi: “Çfarë të them, jam pa fjalë në këtë moment”.
FERIZ FERIZAJ- PANORAMASPORT.AL













