“Finale” mbijetese/ Bylisi, fitorja me vlonjatët mban gjallë shpresat e elitës
Bylisi synon tri pikët në përballjen me Flamurtarin, për t’u larguar nga “zona e ftohtë”, por edhe për të lënë pas një rival direkt në betejën e mbijetesës. Mallakastriotët vijnë në këtë sfidë me një bilanc negativ ndaj vlonjatëve këtë sezon, pasi në tre përballjet e mëparshme nuk kanë arritur të marrin asnjë fitore. Pikërisht për këtë arsye, sfida e së shtunës shihet si momenti ideal për të përmbysur këtë ecuri negative. Në takimin që do të luhet në Ballsh pritet interes i madh nga tifozët vendas.

Skuadra është futur në grumbullim që në fillim të javës, ndërsa pranë ekipit ka qenë vazhdimisht edhe presidenti Besnik Kapllanaj, duke treguar rëndësinë maksimale të kësaj ndeshjeje. Nga ana tjetër, Bylisi pritet të zbresë në fushë me grup të plotë.
Trajneri Mirel Josa ka në dispozicion të gjithë lojtarët dhe pritet të hedhë në fushë formacionin më të mirë të mundshëm, edhe pse ka ende disa dilema për 11-shen titullare, veçanërisht në repartin e mbrojtjes, por edhe në mesfushë e sulm. Problemet e shfaqura në ndeshjen ndaj Tiranës pritet të jenë analizuar dhe korrigjuar, pasi kjo sfidë konsiderohet jetike për objektivat e skuadrës.
SITUATA
Një lajm i mirë për mallakastriotët është rikuperimi i Adeduros, i cili kishte shqetësime pas ndeshjes me Tiranën, por do të jetë i gatshëm për këtë përballje. Ndaj Flamurtarit, nga skuadra kërkohet me çdo kusht vetëm fitorja. Java e kaluar nuk ishte aspak në favor të Bylisit, pasi rivalët direkt si Vora morën pikë, ndërsa Tirana siguroi fitore pikërisht ndaj ekipit të Josës.
Kjo e bën edhe më të detyrueshme marrjen e tri pikëve në këtë përballje. Bylisi po zhvillon sezonin e shtatë radhazi në elitë, megjithatë historikisht mallakastriotët nuk kanë arritur të qëndrojnë gjatë në Superiore, pavarësisht se kanë një traditë afro 20-vjeçare në futbollin e madh.
Klubi ka bërë investime të rëndësishme gjatë merkatos së janarit dhe synimi mbetet i qartë, mbijetesa në elitë. Stadiumi “Adush Muçaj” pritet të jetë një armë e fortë për Bylisin në këtë sfidë. Klubi u ka bërë thirrje tifozëve për mbështetje maksimale, në mënyrë që skuadra të marrë tri pikët dhe të largohet sa më parë nga zona e rrezikut, duke qenë se deri në fund të kampionatit kanë mbetur edhe tetë ndeshje vendimtare.
ERJON SALIU – PANORAMASPORT.AL













