“Final 4” në xhep, Egnatia i ka “fobi” përmbysjet
Egnatia u ndal vetëm në barazim 1 me 1 me Laçin ditën e martë, duke humbur mundësinë të shkëputej edhe më shumë në krye.

Megjithatë, edhe kjo pikë ka marrë vlerë për aq kohë sa rivalët nuk përfituan dhe diferenca me ndjekësit është sërish tri pikë. Deri diku mund të cilësohet një distancë sigurie, kur kanë mbetur edhe shtatë takime deri në fund, çka nënkupton se u lejohet të gabojnë një ndeshje më shumë sesa kundërshtarët e saj. Me “Final 4” në xhep, rrogozhinasit kërkojnë patjetër që të ruajnë vendin e parë dhe në fund të arkëtojnë 100 milionë lekët e vjetër që akordohen nga FSHF-ja për ekipin që pas 36- të javëve të rregullta e mbyll në krye.
PËRMBYSJET – Egnatia ishte ajo që pësoi e para në përballjen me kurbinasit, ku në fund doli vetëm me një barazim, duke mos bërë dot përmbysjen. Në fakt, kthimi i rezultatit pasi kanë pësuar gol, ka qenë “thembra e Akilit” në ekipin e drejtuar nga Edlir Tetova. Thuhet kështu, pasi në asnjë rast kur kampionët kanë pësuar gol të parët, nuk kanë arritur të fitojnë dot. Ashtu ndodhi edhe ndaj Laçit, ku shkuan deri te barazimi. Më konkretisht, bardhjeshilët kanë pësuar gol të parët në tetë raste, ku vetëm në dy prej tyre kanë shkuar të paktën deri te barazimi.
Përveç ndeshjes me kurbinasit, kanë arritur të barazojnë kur kanë pësuar të parët edhe ndaj Partizanit. Në gjashtë takimet e tjera kanë dalë të mundur nga fusha e lojës. Një tregues ky që në njëfarë mënyre tregon edhe ngërçin e kampionëve sa herë gjenden në disavatazh, ku i mungojnë forcat për ta tentuar përmbysjen. Megjithatë, për aq kohë sa kampionët janë në vendin e parë dhe po marrin pikët që u nevojiten, mungesa e përmbysjeve kalon në plan të dytë. E rëndësishme për skuadrën është të ruajnë këtë pozicion deri në fund dhe duket se janë në rrugë të mbarë.
ANTI-TIRANA – Nuk ka më shumë kohë për të menduar rreth atyre që kaluan, sepse shumë shpejt vjen ndeshja me Tiranën. Një përballje jo e lehtë për djemtë e Tetovës, të cilët do të përpiqen që marrin maksimumin e mundshëm. Siç dihet, organika që kanë në dispozicion, është e cunguar, për shkak të mungesave për arsye dëmtimesh.
VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL













