FIBA Europe Cup, Sigal Prishtina mëson kundërshtarët
Klubi më me shumë trofe në basketbollin kosovar, Sigal Prishtina, do të jetë sërish pjesë e Kupave të Europës dhe dje ka mësuar kundërshtarët e saj për FIBA Europe Cup. Pas shortit të hedhur kosovarët do të jenë në Konferencën 2, Grupi K me këto skuadra Energia Targu Jiu (Rumani), BC Astana (Kazakistan) dhe AEK Larnaka (Qipro). Të tre kundërshtarët e kosovarëve janë ekipet më të suksesshme në kampionatet respektive.
Rumunët një vit më parë u kualifikuan deri në gjysmëfinalen e “EuroChallenge”. Në edicionin e ri të këtij turneu kontinental do të marrin pjesë 56 ekipe, të cilat do të ndahen në 2 Konferenca që janë të bazuara në afërsinë gjeografike, por edhe në numrin e klubeve të regjistruara nga një shtet. Federata Kosovare e Basketbollit do të përfaqësohet vetëm me Sigal Prishtinën.
Çdo konferencë ndahet në shtatë grupe, këto të përbëra nga katër klube secila. Eliminatoret do të nisin më 28 tetor, ndërsa “Final Four” është vendosur të zhvillohet nga 29 prill-1 maj 2016. Sigal Prishtina është kampione në fuqi e Kosovës dhe Ligës Ballkanike.













