Europiani i shahut, Mateu Boçi ngjit shkallët me Shqipërinë
Në Katovica të Polonisë u mbyll disa ditë më parë Kampionati i 27-të Europian Vetiak i Shahut, event ku morën pjesë 501 shahistë. Në këtë garë shumë të fortë me 11 ture, Shqipëria u përfaqësua nga mjeshtri i FIDE-s, 16-vjeçari Mateu Boçi.
Nga Kosova morën pjesë IM Nderim Saraçi dhe CM Korab Saraçi, ndërsa nga diaspora shqiptare morën pjesë GM Daniel Dardha (Belgjikë, 20 vjeç) dhe IM Samir Sahidi (Sllovaki, 23 vjeç). Shahisti kuqezi Mateu Boçi, që sivjet fitoi të drejtën për të luajtur në finalet e Kampionatit Kombëtar të Shahut dhe u shpall për të dytin vit radhazi kampion i të rinjve të Shqipërisë, zhvilloi një garë të mirë, teksa grumbulloi 6 pikë në 11 takime, duke zënë vendin e 175-të ndër 501 pjesëmarrës.
Në klasifikimin fillestar para gare ai renditej i 283-ti me Elo 2256. Mbas kësaj gare shumë të fortë ai e rriti koef. e fortësisë Elo me 42 pikë te tjera, duke fituar kështu edhe ballin e dytë për titullin mjeshtër ndërkombëtar (IM). Ndërkohë, Mjeshtri i madh Daniel Dardha zuri vendin e 18-të me 8 pikë duke e konfirmuar përsëri veten në elitën e shahut europian. Samir Sahidi (IM) i Sllovakisë me 6 pikë zuri vendin e 168-të.
Nderim Saraçi (IM) i Kosovës luftoi fort deri në turin e tetë, por humbjet në tre turet e fundit e çuan atë në vendin e 340-të. Korab Saraçi (CM) i Kosovës me katër pike zuri vendin e 401-të. Befasia më e madhe e këtij kampionati ishte fitorja e titullit kampion nga 17-vjeçari Ukrainas Roman Dehtiarov, i cili e mbylli kampionatin me nëntë pikë (+8;=2;-1). Nga veteranët u shqua 57-vjeçari ukrainas, ish super-ylli Vasili Ivançuk, që zuri vendin e 26-të me 7½ pikë.
Rezultati pozitiv i djaloshit 16-vjeçar Mateu Boçi (nxënës në gjimnazin “Protagonistët”, Tiranë) në garën e tij të parë madhore ndërkombëtare (+5;-4;=2) jep shpresa të mëdha për ecurinë e tij të mëtejshme në sportin e shahut. Me pasion dhe punë këmbëngulëse, pa braktisur asnjëherë mësimet e shkollës, Mateu Boçi është në rrugë të mbarë për të fituar sa më parë titullin mjeshtër ndërkombëtar dhe më pas atë të madh.
Gjergj M. Zavalani-PANORAMASPORT.AL













