Europa sërish, Partizani do short të kalueshëm. “Demat” kërkojnë fazën e grupeve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 17, 2025 | 8:35

Europa sërish, Partizani do short të kalueshëm. “Demat” kërkojnë fazën e grupeve

Partizani do të njihet sot me kundërshtarin në turin e parë të Ligës së Konferencës. Shorti do të hidhet në Nion të Zvicrës.PartizaniKy do të jetë edicioni i pestë i këtij kompeticioni, ku të kuqtë kanë qenë pjesëmarrës gjithmonë në raundet kualifikuese. “Demat” kanë edhe koeficientin më të mirë nga Shqipëria, pikërisht 6.5. Jo vetëm në turin e parë, por edhe nëse marrin pjesë në raundin e dytë, do të jenë te vazoja e skuadrave favorite. Megjithatë, janë disa skuadra të konsideruara jofavorite që Partizani do të donte t’i shmangte.

SI FUNKSIONON- Partizani është i njohur tashmë me 24 kundërshtarë të mundshëm. Në bazë të llogarive të UEFA-s, mëngjesin e sotëm do të zbulohen minigrupet. Kështu, të kuqtë, si edhe skuadrat e tjera shqiptare, pritet të njihen me vetëm pesë kundërshtarë të mundshëm. Si gjithmonë do të shmangen përballjet me klubet e të njëjtit vend. Kështu, Partizani nuk do të mund të sfidojë Dinamon. Ekipi i parë që do të tërhiqet në short ndërkohë do të luajë ndeshjen e parë si vendës. Datat 10 dhe 17 korrik janë përcaktuar për ndeshjet.

TË PADËSHIRUARAT– Skuadra nga Bjellorusia, Bosnja, Gjeorgjia, madje edhe Letonia e Lituania, do të rezultonin të vështira për në turin e parë. Këtu mund të përmenden Zeljenicar (Bosnjë), Dinamo Brest (Bjellorusi), Neman Grodno (Bjellorusi), Torpedo Kutaisi (Gjeorgji), Hegelman (Lituani). Skuadrat e tyre vlerësohen sa Partizani apo edhe më mirë në treg.

“DERBI”- Ekziston mundësia që Partizani të sfidojë skuadra shqiptare në turin e parë të Ligës së Konferencës. Me përjashtim të Dinamos, Partizani mund të përballet me Malishevën e Kosovës. Këto të fundit e mbyllën kampionatin në vendin e tretë pas Dritës dhe Ballkanit.

RRUGËTIMET E MËPARSHME- Partizani ka luajtur në të katërt edicionet e Ligës së Konferencës, prej krijimit në sezonin 2021-‘22. Rrugëtimi nisi ndaj modestëve të Sfintul George. Përballë moldavëve u arrit kualifikimi, pasi rezultati i përgjithshëm ishte 8 me 4. Më pas erdhën ndeshjet me Bazelin, ku Partizani u eliminua me rezultatin e përgjithshëm 5 me 0. Një vit më vonë, paraqitja në Europë ishte dështim. “Demat” i largoi Saburtalo Tbilisi nga Liga e Konferencës, përmes penalltive që në turin e parë. Partizani e kishte fituar sfidën e parë në Gjeorgji, por zhgënjeu në Shqipëri.

PENGU– Partizani ishte pranë grupeve të Ligës së Konferencës në vitin 2023. Pasi kishte fituar kampionatin dhe u eliminua nga Bate Borisov në turin e parë të Champions, rrugëtimi vazhdoi në kompeticionin e tretë më të rëndësishëm europian. Të kuqtë fituan të dyja ndeshjet ndaj Atletik Eskaldes nga Andorra dhe më pas bënë të njëjtën gjë përballë Valmierës së Letonisë. Sfida e “play-off” përballë Astanës rezultoi dramë e vërtetë. Kundërshtari nga Kazakistani nuk rezultoi edhe aq i fortë për Partizanin, që flirtoi me kualifikimin. Humbja e parë në Kazakistan 1 me 0 la gjithçka hapur për ndeshjen në “Elbasan Arena”. Në ditën e fundit të gushtit, ishte Bintsuka që i dha avantazhin Partizanit në pjesën e parë. Dominim i plotë, teksa mungoi vetëm goli tjetër. Me fillimin e pjesës së dytë, miqtë ia dolën të barazonin dhe mbrojtën me fanatizëm rezultatin deri në fund. Përpjekjet e Partizanit nuk u konkretizuan deri në fund, për këtë viti 2023 në Europë mund të quhet pengu më i madh.

EKSPERIENCA E FUNDIT- Pritshmëritë ishin të mëdha te Partizani një vit më parë. Vështirësitë u ndjenë që në fillimin e rrugëtimit ku Partizani sfidoi Marsaxlok. Pas barazimit në “Elbasan Arena”, të kuqtë ia dolën të fitonin me përmbysje në Maltë. Rezultati i përgjithshëm 3 me 2 i dërgoi në turin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës. Fati e vendosi Partizani sërish përballë Saburtalos së Gjeorgjisë, vetëm se këtë herë i njohur si Iberia. Fitorja në Gjeorgji e vendësve 2 me 0 rezultoi vendimtare, ndërsa ndeshja e dytë në “Elbasan Arena” u nda me barazim pa gola. Tashmë rezulton se Iberia ishte kundërshtar i fortë, pasi kishte ndërtuar skuadër të talentuar që u shpall kampione e Gjeorgjisë.

PËR TË ARDHMEN- Ky edicion i Ligës së Konferencës është shumë i rëndësishëm për Partizanin. Jo vetëm për të ardhurat që do të sjellë në ndërtimin e sezonit, por edhe për të ardhmen në kompeticionet europiane. Nëse Partizani do të kualifikohet në turin e parë të Ligës së Konferencës dhe më pas do të luajë sërish në Europë vitin tjetër, atëherë do të ketë të paktën koeficientin 8. Ky koeficient do të ishte i favorshëm për të qenë në vazon e favoritëve edhe në turin e parë të Ligës së Kampioneve.

EMANUEL LOCI-PANORAMASPORT.AL