Euforia e Ilir Dajës: Na gëzon që pas 15 vitesh kthejmë Dinamon në Europë
Me fitoren e arritur ndaj Vllaznisë, Dinamo siguroi finalen e Kupës dhe u rikthye pas 14 vitesh në luftë për të fituar një trofe. Një fitore me “zemër në dorë”, duke parë mënyrën se si shkoi, pasi nga një fitore me katër gola, blutë rrezikuan të barazoheshin në fund.

Megjithatë, në daljen e tij për mediat pas ndeshjes, trajneri Ilir Daja pohoi se nuk i bën shumë përshtypje rezultati, por kalimi në finale. Sipas tij, tani i duhet shkuar deri në fund këtij kompeticioni, për ta fituar atë. “Vërtet pësuam tre gola, por shënuam katër në fillim. Specifika e Kupës është e tillë, që në fund nuk ka rëndësi rezultati, ashtu si edhe nuk ka rëndësi kalimi më finale, por duhet luftuar deri në fund. Përballë kishim një ekip shumë të fortë si Vllaznia dhe gjithnjë ndeshjet tona kanë qenë me rivalitet. Ajo që na gëzon më shumë pas shkuarjes në finale, është fakti që Dinamo, pas thuajse afro 15 vjetësh, shkon në Europë”, u shpreh fillimisht trajneri i bluve.
OBJEKTIVI – Me finalen e Kupës në “xhep”, Daja shpreson të marrë maksimumin nga ky grup deri në fund. Për këto arritje ai ua delegon meritat lojtarëve që stërvit dhe korrektesës së presidencës. “Ne do të vazhdojmë rrugëtimin tonë deri në fund fare për të marrë maksimumin nga ky grup që ka merituar gjithçka. Aktorët kryesorë janë lojtarët dhe e gjithë merita u shkon atyre. Kemi një president superkorrekt dhe do të vazhdojmë luftën tonë deri në fund fare. Dëmtimet shyqyr që ndodhën në momente kur ne e kishim siguruar pjesën e ‘Final 4’ edhe sepse po të na ndodhte më parë, ndoshta do të kishim probleme me prezantimin në ‘Final 4’, edhe me këtë arritje deri në finale. Pavarësisht se, nëse nuk e merr Kupën, e gjithë sakrifica të shkon dëm se nuk ka vend të dytë në Kupë, ka vetëm një vend të parë”, mbylli prononcimin e tij për mediat trajneri i Dinamos, Ilir Daja, i cili riktheu Dinamon në Europë dhe ka shanset që ta mbyllë këtë edicion me një trofe.
SYNIMI I RADHËS – Dinamo ka edhe një duel në distancë me Vllazninë, siç është ai për vendin e dytë në kampionat. Për momentin janë shkodranët me një pikë mbi ta dhe kanë një avantazh jo të vogël një ndeshje nga fundi i kampionatit. Blutë mund ta arrijnë këtë pozicion nëse mundin Tiranën dhe Vllaznia nuk fiton me Laçin. Gjithsesi, në një situatë të tillë mbetet për t’u parë nëse blutë do të mendojnë seriozisht për të kapur vendin e dytë apo do të përpiqen të menaxhojnë forcat për finalet që i presin në katërshe. Siç dihet, përballë do të kenë Tiranën, që luan për “jetë a vdekje”, sepse vetëm fitorja i mban në kategori, ndaj mbetet për t’u parë se si do të sillen blutë në derbi.
VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL













