Erzeni gjen fitoren pas 42 ditësh dhe i afrohet Valbonës. Luga: I futëm në grackë. Kërnaja: Ekip i ndërtuar gabim
Takimi mes Erzenit dhe Valbonës, i luajtur dje në stadiumin e Vorës, u mbyllur me rezultatin 2-1 për shijakasit, që për herë të parë dhe të fundit kishin fituar më 19 janar. Nga minuta e parë deri në të 12-ën, Valbona ka pasur një farë epërsie.

Tropojanët kanë tentuar disa herë, por portieri Dema nuk i ka lejuar. Në të 26-ën, Laval godet në drejtim të portës, por topi shkon pranë shtyllës pingule. Reagojnë tropojanët, por nuk arrijnë të gjejnë portën. Në të 29-ën, shijakasit reagojnë dhe organizojnë një aksion të bukur në krahun e djathtë. Bespallov, pasi hyn në zonë, me një diagonale godet saktë dhe 1-0 për Erzenin. Në të 40-ën, Laval kroson mirë, dërgon topin në zonë ku gjen sulmuesin Taka, i cili menjëherë godet duke dërguar “sferën” në rrjetë. 1-1 u mbyll pjesa e parë. Pjesa e dytë zhvillohet me të njëjtin ritëm, sikurse edhe pjesa e parë.
Të dyja skuadrat janë në kërkim të golit të avantazhit, por nuk ia dalin të shënojnë. Momentet më të mira për miqtë do të jenë në minutat 75 dhe e 77, ku Laval dhe Taka janë pranë golit, por nuk arrijnë. Më pas janë futbollistët e Erzenit, ata që gjejnë golin e dytë në të 78-tën me qendërmbrojtësin Baruti, që u tregon sulmuesve se si shënohet. Në minutat në vazhdim nuk ka më histori dhe i gjithë takimi mbyllet në shifrat 2-1 për Erzenin, që ngjitet në kuotën e 11 pikëve, dy më pak se Valbona e vendit të 11-të. Kjo është fitorja e dytë për shijakasit në 25 javë kampionat.
ERZENI – VALBONA 2-1
GOLAT: Bespallov 29′, Baruti 78’/ Taka 40′
ERZENI: Dema, Baruti, Kortes (Xheka 68’), Brahja (Zeneli 74′), Duraku (Duka 74′), Hodo, Isteri, Kola, Shtraza(Tahiri 58’), Zaimaj, Bespallov ;(Në dispozicion: Arevalo, Cergani, Halilaj, Sallaku, Shehu). Trajner. Ergys Luga
VALBONA: Domit, Doçi, Lala, Artur, Rosaj(Aluku 52′), Xhabafti(Zeqiraj 52′), Kamilo, Mateli, Laval, Taka, Vidrica. Trajner: Oltijon Kërnaj
KARTONË TË VERDHË: Kërnaja 33′ (trajneri), Kamilo 63′
GJYQTARË: A.Merdanaj, M.Llukmani (Vlorë), G.Mënaj(Tiranë)
VËZHGUES: Dritan Sala (Shkodër)
DELEGAT: Egli Kokona (Tiranë)
Luga: I futëm në grackë
Ergys Luga, trajneri i Erzenit, pas ndeshjes u shpreh: “Takimet e luajtura jashtë ndikojnë te futbollistët. Pashë se lojtarët e Valbonës ranë në grackën tonë, pasi ekipin e kisha përgatitur në atë mënyrë për të marrë fitoren. Gjatë gjithë javës mendova të luaja me një mënyrë tjetër loje, për të arritur këtu. Kjo ishte si një finale për ne. Ekipi zbatoi detyrat, por në finalizim duhet të jemi më mirë. Për këtë arsye punoj fort me çunat, edhe pse i kam në një moshë të re”.
Kërnaja: Ekip i ndërtuar gabim
Oltion Kërnaja, trajneri i Valbonës, pas humbjes me Erzenin tha: “Të them të drejtën, gjysma e ekipit e kishte vlerësuar kundërshtarin, pjesa tjetër jo. Ekipi është ndërtuar gabim, e kam thënë edhe më parë: Valbona ka probleme. Një pjesë e skuadrës vinte në stërvitje, pjesa tjetër jo. Janë larguar disa futbollistë të formacionit. Rastet janë krijuar që nga minuta e parë dhe derisa kundërshtari na ndëshkoi në të 78-ën. Duhen lojtarë cilësorë në ekip”.
ALBERT ALIKO- PANORAMASPORT.AL













