Epoka Moriero nis te Flamurtari, trajneri italian merr frenat e skuadrës vlonjate

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 9, 2025 | 9:15

Epoka Moriero nis te Flamurtari, trajneri italian merr frenat e skuadrës vlonjate

Konfirmohet lajmi i “Panorama Sport”, Françesko Moriero është trajneri i ri i Flamurtarit. Klubi vlonjat nuk ka humbur kohë, pasi mbylli bashkëpunimin me Karlos Garsian. Italiani zbarkoi në Vlorë mesditën e djeshme, ku u ul në bisedime me administratorin Sinan Idrizi.morieroPasi ranë dakord për gjithçka sa i përket kushteve dhe financave, Moriero firmosi kontratën dhe më pas u prezantua nga klubi. Ky i fundit flet me superlativa për trajnerin e ri, duke e cilësuar si një ish-futbollist me karrierë të pasur dhe aktualisht një trajner me përvojë të gjerë në Itali dhe jashtë saj. Sipas klubit, Moriero sjell profesionalizëm, pasion dhe vizion të qartë për zhvillimin e ekipit. Pavarësisht se janë në fund të tabelës, në Vlorë flasin për objektiva të mëdha dhe kanë besim tek italiani.

“Njoftojmë me kënaqësi emërimin e Françesko Moriero si trajnerin e ri të skuadrës sonë. Me një karrierë të pasur si futbollist në Serie A dhe përvojë të gjerë si trajner në Itali dhe jashtë saj, Moriero sjell profesionalizëm, pasion dhe vizion të qartë për zhvillimin e ekipit. Bashkë drejt objektivave të mëdha! Mirë se erdhe në familjen tonë, Mister Françesko Moriero”, – shprehet klubi. Pasditen e djeshme skuadra zhvilloi seancën e parë stërvitore nën drejtimin e trajnerit të ri. Klubi e cilëson ndryshimin si një energji të re. “Energji e re! Stërvitja e parë me trajnerin e ri shënon hapin e parë drejt objektivave tona”, – shprehet klubi. Seanca stërvitore në Pyllin e Sodës u ndoq nga afër edhe nga sekretari i përgjithshëm i klubit, Alfred Ferko.

KARRIERA Trajneri i ri i Flamurtarit, Françesko Moriero, ka një karrierë të pasur si futbollist në Serie A. 56-vjeçari e ka nisur karrierën te Leçe, për ta vijuar më pas te Kagliari, Roma, Milani, Interi dhe Napoli. Tekniku i lindur në Leçe e njeh mirë futbollin shqiptar, falë eksperiencave të mëparshme në vendin tonë. Në sezonin 2020-2021, Moriero ishte pjesë e Dinamos, ndërsa sezonin e kaluar drejtoi Laçin, që më pas ra nga kategoria. Ekipet që ai ka drejtuar në Itali dhe jashtë saj janë të shumta, mes të cilave veçohen: Krotone, Frosinone, Groseto, Leçe, Katanzaro, Katania, Kavese, etj.

OBJEKTIVI Për teknikun Françesko Moriero, klubi ka objektiva të qarta. Në takimin me Idrizin, theksi u vendos fillimisht te stabilizimi i situatës së vështirë, pasi kuqezinjtë, nga objektivat e mëdhenj të fillimit të sezonit, tani “lëngojnë” në fund të tabelës. Shpresa për ndryshim lidhet pikërisht me trajnerin italian, ndërsa drejtuesit theksojnë se situata mund të përmbyset me punë, durim dhe besim.

ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL