Elbasani përballë testit më të madh, Gvozdenoviç: Respekt për Egnatian, por duam fitoren

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 20, 2026 | 9:56

Elbasani përballë testit më të madh, Gvozdenoviç: Respekt për Egnatian, por duam fitoren

Elbasani do të zbresë në fushë në një nga ndeshjet më të rëndësishme të sezonit, ku përballë do të ketë rivalin direkt për titull, Egnatian. Ky duel pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në renditjen e kampionatit, pasi një fitore do t’i jepte skuadrës verdheblu mundësinë për të qëndruar në krye dhe për të forcuar pozitat në garën për titull.

gvozdenovic

Atmosfera në qytet është mjaft entuziaste, me tifozët që pritet të jenë të shumtë në stadium për të mbështetur ekipin në këtë sfidë vendimtare. Për Elbasanin, kjo është një mundësi ideale për të dhënë një sinjal të fortë në garën për titull. Në daljen e tij të zakonshme para mediave, trajneri Ivan Gvozdenoviç pohon se skuadra që ai drejton është gati, pavarësisht mungesave. Sipas tij, Elbasani si çdo javë hyn në fushë për të marrë maksimumin.

“Përveç Janaçek, Lulajt dhe Diallo që janë të dëmtuar, pjesa tjetër e skuadrës është gati. Po bëjmë edhe përgatitjet e fundit me stafin për të vendosur edhe për detajet e kësaj ndeshjeje. Detyrim kemi që të luajmë fort si gjithnjë, të luajmë për tifozët. Kjo është detyra jonë parësore. Dihet që ne jemi Elbasani dhe do luajmë për të marrë maksimumin. Nesër kemi përballë Egnatian, një skuadër shumë e mirë dhe e fortë. Kemi respekt për ta dhe jo më kot është kampione e dy sezoneve të fundit”, u shpreh fillimisht tekniku i Elbasanit.

DËNIMET E EGNATIAS – Në lidhje me faktin se kampionët vijnë në këtë ndeshje pas shumë dënimeve nga Komisioni i Disiplinës, sidomos sa i përket stafit teknik, Gvozdenoviç nuk preferon të komentojë. Sipas tij, Egnatia në çdo situatë mbetet një kundërshtar i fortë. “Jo, nuk e shoh në favor. Nga ana tjetër nuk dua të komentoj dënimet, sepse është çështje mes federatës dhe Egnatias. Ne shohim punën tonë. Ata që luajnë në fushë janë lojtarët, as stafi dhe as tifozët. E thashë, Egnatia ka një skuadër shumë të mirë, një kontigjent prej 25 lojtarësh dhe jam i sigurt që edhe nesër (sot) do të jetë një ndeshje e luftuar mes të dyja ekipeve. Në fund, sigurisht në fushë do të fitojë më i miri”, vijoi më tej kreu i pankinës verdheblu.

DËMTIMET – Sa i përket dëmtimeve të rënda të Lulajt dhe Janaçek, Gvozdenoviç pohon se ka ende shpresa për rikuperimin e tyre. Megjithatë, ai thekson se skuadra ka alternativa dhe beson te grupi. “Në fakt, do presim edhe pak për të mësuar rreth gjendjes së tyre, sepse kemi ende shpresa për rikuperim. Por, nëse për fat të keq ata nuk do të jenë gati për këtë pjesë të kampionatit, kemi lojtarë të tjerë dhe jam i bindur se edhe ata janë gati dhe do të bëjnë maksimumin për skuadrën”, përfundoi Gvozdenoviç. Elbasani e pret të sot në orën 19:00 Egnatian, në një ndeshje ku pritet interesim i lartë nga tifozët, ndërsa hyrja për femrat do të jetë falas.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL