Elbasani fiton, por 5 titullarë e kanë mbyllur sezonin
Elbasani mori një fitore me mjaft vlera ndaj skuadrës së Tiranës, duke i mbajtur ende në garë për një vend në “Final 4”. Mirëpo, përpos fitores me përmbysje, ajo që ra në sy ishte mungesa e portierit Razak Abalora.
Afrikani u dënua në Laç për shkak të vonesës gjatë orarit të drekës dhe u dërgua në tribunë së bashku me Tsagenë. Mirëpo, ndaj bardhebluve u stërvit normalisht me ekipin dhe së paku pritej të ishte i grumbulluar me skuadrën, duke e shlyer edhe gabimin që bëri pak ditë më parë. Mirëpo, gjatë stërvitjes së fundit, ai ka thyer këmbën në stërvitje dhe përfundimisht ka humbur sezonin. Një goditje për të personalisht, por edhe për Elbasanin. Gjithsesi, ndeshjet e mbetura në katërkëndësh do të jetë Klevi Totoshi, që ka qenë titullar në dy sfidat e fundit, ku elbasanasit kanë marrë edhe pikët e plota.
DËMTIMET E RËNDA – Abalora është i fundit nga ata që e kanë pësuar nga dëmtimet e rënda në skuadrën e Elbasanit, që rrjedhimisht kanë mbyllur sezonin para kohe. Për ta nisur me mbrojtësin serb, Emir Azemoviç. 28-vjeçari u dëmtua rëndë që në ditët e para në stërvitje dhe nuk bëri dot debutimin me verdheblutë, duke humbur sezonin. Ai është rikthyer në Elbasan dhe po rikuperohet për të qenë gati sezonin në vijim ose kupat e Europës nëse Elbasani do t’ia dalë. Për të vijuar me dëmtimin tjetër të rëndë të sulmuesit Arsen Lleshi, që detyrohet të kryejë një operacion në menisk dhe të lërë në mes kampionatin pikërisht në momentin e tij më të mirë.
Edhe ai tani është në fazë rikuperimi. Në të njëjtën situatë është edhe mesfushori Edon Hasani, i cili gjithashtu për arsye dëmtimi nuk luan prej shumë ndeshjes dhe praktikisht ka humbur sezonin. I fundit që iu bashkua “fatkeqëve” ishte Emiljano Musta, me një thyerje në dorë, duke e detyruar të stopojë pikërisht në momentin e tij më të mirë. Me Abalorën numri i tyre që kanë mbyllur sezonin para kohe shkon në pesë, edhe pse për Mustën ka shpresa të rikuperohet në sfidat e fundit. Me pak fjalë, elbasanasit janë penalizuar jo pak këtë edicion nga dëmtimet, ku ato më të lehta kanë qenë prezente çdo javë. Në njëfarë mënyre, këto mungesa kanë pasur ndikimin e tyre edhe në rezultatet në fushë.
VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL













